Kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi tha se kjo parti do të garojë e vetme në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit pasi kodi zgjedhor nuk i avantazhon koalicionet dhe për këtë bëri përgjegjëse mazhorancën dhe opozitën.

“Sepse edhe kodi elektoral nuk i avantazhon koalicionet dhe kjo është një kurth që dy partitë kryesore, kryesisht PS-ja që e miratoi me votat e saj kodin, por ndoshta edhe opozita, e cila e miratoi në distancë kanë bërë një kod, që i bën të vështira koalicionet dhe aleancat dhe sidomos kur kjo ka të bëjë me forcat e reja politike,  por tek e fundit kjo nuk na pengon” tha ai.

Ai u pyet nga Euronews Albania se perse nuk u bashkua në një koalicion me partinë e Jozefina Topallit, por për këtë Patozi u shpreh si vijon:

“Ne kemi qenë në një komunikim me znj. Topalli dhe e konsiderojmë se kemi të njëjtat qëllime politike në këto zgjedhje, pra, për të sjellë një frymë ndryshime në ambientin politik dhe kemi lënë të hapur që të kemi bashkëpunim taktik në disa zona të Shqipërisë”, tha ai.

Ai tha se Bindja Demokratike në këto zgjedhje synon të jetë forcë përfaqësuese dhe përcaktuese në Parlamentin e ri.

“Objektivat e Bindjes Demokratike janë që të jemi forcë përfaqësuese në parlament, dhe forcë mundësisht përcaktuese në qeveri”, theksoi Patozi.

Lidhur me organizimin e opozitës së bashkuar në këto zgjedhje, Astrit Patozi tha se nuk dëshiron të komentojë, por në thelb në sjelljen e saj, shprehet se nuk sheh ndonjë ndryshim me strategjinë e ndjekur prej saj në 2017.

“Në fakt nuk kam dëshirë të komentoj, sepse e konsideroj një forcë politike rivale në këto zgjedhje. I uroj fat, por them se nuk sjellë asnjë risi, sepse është e njëjta gjë që ka ndodhur para katër vjetësh, PD ka përsëritur të njëjtën skemë, siç e kishte edhe në 2017, që siç e dimë nuk rezultoi e suksesshme”, tha Patozi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re