15 mars Kryeministri Edi Rama nga takimi “Për bashkinë që duam” në Berat theksoi se qeverisja e tij ende nuk e ka kryer si duhet zotimin për shërbimet publike ndaj qytetarëve, edhe pse në këto vite është bërë shumë.

“Askush nuk duhet të mendojë se ne dhe unë personalisht jemi të kënaqur me çfarë kemi bërë dhe se ndjehemi mirë sesi shkojnë të gjitha gjërat. Kemi bërë shumë dhe këtë nuk e mohon askush, por ka gjëra që nuk shkojnë, dhe një nga këto është angazhimi ynë solemn që e kemi bërë edhe këtu në Berat. Ende nuk shkon shërbimi publik tek njerëzit nga zyrat e shtetit, ka ende grabitës e të paaftë që marrin rrogën dhe u bien në qafë qytetarëve”, – tha Rama.

“Shërbimet janë më mirë se dje, por më keq sa duhet të jenë nesër. Por, ne kemi ndërtuar mekanizmin për të mos e lënë vetëm këdoqoftë që kur shkon të marrë një shërbim ia përplasin derën në fytyrë. Bashkëqeverisje reale, ku njeriu që nuk ka parti e lekë, mjafton t’i drejtohet platformës ka në krah qeverinë dhe ministrin përkatës”, – tha Rama.

Ishin tre qytetarë beratas që sollën dëshmitë e tyre për zgjidhjen e problemeve të tyre pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes.

Njëri prej tyre zgjidhi problemin e mbifaturimit të energjisë elektrike, një tjetër atë të llogaritjes gabim të pensionit dhe një grua rrëfeu sesi mori ndihmë për restaurimin e shtëpisë së saj të vjetër në një lagje të Beratit.

“Nëse nuk do të ishte vullneti ynë për ta dëgjuar qytetarin dhe nuk do ishte krijuar mekanizmi, ata do ishin ende pa përgjigje, sic kanë mbetur me dhjetëra njerëz për vite me radhë”, tha kryeministri Rama. /j.p/

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re