Deputetja e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri, përmes një deklarate për media, ka reaguar në lidhje me rastin e Andri Ibrahimaj, bashkëshorti i ministres së Sipërmarrjes, Delina Ibrahimaj, i cili është përfshirë në një sulm me armë të ftohtë 5 muaj më parë ndaj drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Trajtimit të Kredive, Eri Koshaj.

Sipas Pampurit, rasti, i cili u mbajt i fshehur, “nuk është vetëm për të kuptuar se si funksionon pushteti në Shqipëri, por është edhe një kambanë alarmi për njerëzit e thjeshtë dhe të pambrojtur nga sulmet dhe dhuna e njerëzve të pushtetit”.

Ndër të tjera ajo kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministres, si akt i parë i të treguarit të vullnetit dhe i fillimit të hetimeve të paanshme dhe të patrysnuara nga prokuroria.

Deklarata:

Rasti i bashkëshortit të ministres Delina Ibrahimaj, i cili u mbajt i fshehur nga autoritetet përgjegjëse dhe u bë publik vetëm kur media e pasqyroi, nuk është vetëm për të kuptuar se si funksionon pushteti në Shqipëri, por është edhe një kambanë alarmi për njerëzit e thjeshtë dhe të pambrojtur nga sulmet dhe dhuna e njerëzve të pushtetit.

Ndonëse kanë kaluar disa ditë nga bërja publike e ngjarjes, përveç një reagimi të vakët dhe aspak bindës nga ministrja Ibrahimaj, nuk kemi asnjë reagim zyrtar të qeverisë shqiptare apo të vetë Edi Ramës si shefi i drejtpërdrejtë i ministres në fjalë.

Ngjarja nuk është vetëm e shëmtuar si akt përmbajtësor, ku burri i ministres bëhet protagonist i zgjidhjes së “halleve” shtetërore të bashkëshortes së tij, por ajo është një ogur i keq për zgjidhjen e konflikteve apo të mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me ushtrimin e detyrës në të ardhmen.

Partia Demokratike e Shqipërisë kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministres Ibrahimaj si akti i parë i të treguarit të vullnetit dhe i fillimit të hetimeve të paanshme dhe të patrysnuara nga prokuroria.

Partia Demokratike e Shqipërisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të denoncojnë të gjitha aktet e dhunës dhe të presionit shtetëror të kësaj qeverie si e vetmja rrugë dhe mënyrë për të dalë nga presioni dhe zgjedha e saj.

Ne jemi të vendosur për të qenë zëri i njerëzve të pa zë dhe mbrojtës të interesit të tyre

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re