Kjo është Klotilda Greku, bashkëshortja e Sajmirit që, së bashku me prindërit e tij humbi jetën nga tërmeti në Thumanë. Klotildës sot i kanë mbetur vetëm kujtimet. Ajo me lot në sy tregon se si u njohën dhe se sa të lumtur ishin.

“Ne jemi njohur kur unë kam qenë studente në shkollë dhe ai punonte. Unë Saimiri, vajza dhe dy prindërit jetonim në një shtëpi. Kemi qenë një familje e lumtur, kemi jutuar në një harmoni të madhe dhe kjo ishte një lumturi që Zoti nuk deshi që ta jetonim në tutje ne”, shprehet mes lotësh Klotilda.

Çifti Greku ka sjellë në jetë këtë vajzë që është shumë e vogël për të kuptuar gjëmën që I ka ndodhur. E ëma me zërin që I dridhet tregon se e vogëlushja e thërret vazhdimisht babain e saj.

“Vajza e ndjen shumë mungesën e të atit, nuk ka ditë që ajo nuk e përmend. Një veprim që bën vëllai im, apo dikush tjetër në shtëpi asaj i kujtohet që e ka bërë edhe i ati dhe shikon fotografitë e tij në telefon, dhe i qesh fytyra kur i shikon. E ndjen edhe ajo mungesën e tij, këto ditë ka qenë shumë mërzitur, vetëm qan, si duket edhe ajo e ndjen mungesën”, thotë Klotilda.

Klotilda pas humbjes së jetës së bashkëshortit po qëndron tek prindërit në një fshat të Peshkopisë. Asnjë zyrtar nuk është takuar me të apo e ka telefonuar.

“Nga institucionet shtetërore deri më tani nuk kam pasur ndonjë lajm ose ndonjë telefonatë, përveç këtyre gjërave që janë thënë edhe në Tv”, shprehet ajo.

Ajo në këto kushte përmes ABC News kërkon që shteti t’i vijë në ndihmë se në Thumanë s’i ka mbetur më asgjë. Për Klotildën meraku më i madh është që vajza të rritet siç e meriton pasi i ati i saj që ndërroi jetë punonte shumë që asaj mos i mungonte asgje.

“Doja vetëm të kisha një vend ku të rrija me gocën që ajo të rritet sic duhet”.

Klotilda dhe vajza e saj kanë qënë me fat se ditën kur ra tërmeti nuk ndodhej në Thumanë por tek prindërit e saj./abcnews.al

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=haZkLm-TrPg&w=560&h=315]

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re