Në sallën e konferencave të Bashkisë u zhvillua sot ceremonia zyrtare për dhënien e titullit “QYTETARE NDERI”, znj. Marinda Preka dhe “NDERI I QYTETIT”, Selami Tepelenës, (pas vdekjes).Si atletja më e mirë e të gjitha kohërave për qytetin e Beratit, Mjeshtre Sporti, Nënkampione e Ballkanit, rekordmene në garat 800, 1500, 3000 dhe 5000 m, duke përfaqësuar denjësisht qytetin e Beratit dhe vendin tonë në arenën ndërkombëtare, si fituese e Anketës “10 sportistët më të mirë të Shqipërisë”, si një nga sportistet absolute të sportit të atletikës, si dhe për kontributin e saj si mësuese e edukimit fizik në formimin e brezit të ri, Këshilli Bashkiak i akordon znj. Marinda Preka titullin “Qytetare nderi” e Beratit. Po ashtu, Këshilli Bashkiak, i akordon titullin (pas vdekjes) “Nderi i qytetit”, Selami Tepelenës, si përfaqesues i denjë i një brezi qytetarësh që kanë rrezatuar qytetari, fisnikëri, mirësi, si sinonim i një njeriu që u dallua për thjeshtësi dhe kontribute në jetën kulturore – sportive të qytetit, duke fituar admirimin dhe respektin e qytetarëve beratas, të cilët e vlerësojnë atë sot për vlerat e tij qytetare dhe intelektuale.

Merrnin pjesë në këtë ceremoni përfaqësues të institucioneve vendore, të forcave politike, të komuniteteve fetare, intelektualë, trajnerë, sportistë, të afërm të familjeve Preka dhe Tepelena, qytetarë etj. Drejtuesi i kësaj ceremonie, z. Kadri Kuka, pasi bëri një prezantim të shkurtër të biografisë së secilit prej emrave të vlerësuar, fton Kryetaren e Këshillit Bashkiak, znj. Nikoleta Manka, dhe Nënkryetarin e Bashkisë, z. Çlirim Brisku, t’u dorëzojnë znj. Marinda Preka dhe të afërmëve të Selami Tepelenës titujt përkatës.Shprehën konsideratat e tyre për kontributin e Marinda Prekës në sportin e atletikës ish – trajneri i saj, Ismet Ajazi, gazetari sportiv, Dëfrim Methasani, i cili e vlerësoi atë si një kampione të heshtur, komentatori dhe gazetari sportiv, Rrok Preçi, mësuesi i edukimit fizik, Llukan Sahatçiu, dhe djali i saj, futbollisti, Vangjel Mile. Ndërsa për figurën e Selami Tepelenës shprehën vlerësimet e tyre Namir Lapardhaja, Stavri Bobo dhe Luftar Dyrmishi. Në fund të ceremonisë, për të pranishmit u shtrua një koktej.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re