Nuk kanë të sosur skandalet e Bashkisë së Durrësit me mbetjet inerte dhe ato urbane. Tonelata të tëra hidhen në Sukth, duke u shkaktuar banorëve atje një katastrofë mjedisore, nga e cila vështirë se mund të rikuperohet me kohën.

Pas kthimit të vendgrumbullimit të mbetjeve urbane në Porto Romano në një kantier ndërtimi për ta shndërruar në një zonë të gjelbëruar dhe atraktive, Durrësi ka mbetur pa një landfill për hedhjen e tyre.

Në fakt, Porto Romano ishte kthyer prej vitesh në një problem për sa i përket depozitimit të mbetjeve urbane në këtë zonë, jo shumë larg universitetit të këtij qyteti. Sikur të mos mjaftonte kjo, zona u kthye në një rrezik,  jo vetëm për studentët e universitetit “Aleksander Moisiu”, banorët e Porto Romanos, por edhe për të gjithë Durrësin. Kjo për arsye se plehrat digjeshin sistematikisht , duke vënë në rrezik serioz edhe turizmin në qytetin bregdetar.

Por Bashkia në mënyrë krejt të pakuptimtë dhe pa asnjë vendim rihap një vendgrumbullim në Sukth për hedhjen e mbetjeve, një veprim që që po kundërshtohet me forcë nga banorët e zonës, të cilët kanë paralajmëruar edhe protesta, që do t’i përshkallëzojnë deri në bllokim të rrugës nacionale.

Kësisoj, Bashkia e Durrësit ka dalë jashtë kontrollit dhe “blindon” me plehra Sukthin, një prej zonave me një numër të konsiderueshëm banorësh. Jo vetëm kaq, por edhe deklarata e administratorit të njësisë administrative në Sukth (që varet nga Bashkia e Durrësit) deklaron se do të riaktivizohet vendgrumbullimi i mbetjeve.

Aktualisht, plehrat kanë mbetur rrugëve dhe të bllokuara nëpër kamionët e ndërmarrjes së pastrimit. Në një reagim të saj Bashkia e Durrësit bën të ditur se është në bisedime me qeverinë për të zgjidhur përfundimisht problemin e depozitimit të mbetjeve, ndërsa i ka kërkuar Ministrisë së Financave dhe një fond të posaçëm për këtë problem.

Ky rrezik i grumbullimit të maleve të larta me plehra, që rritej edhe me tepër dhe me sezonin e verës u kthye në shqetësim për qeverinë.  Qyteti bregdetar është tronditur nga tërmeti i 26 nëntorit dhe për këtë këshilli bashkiak ka marrë vendime për prishjen e dhjetëra pallateve dhe objekteve shkollore, por problemi kryesor është se ku po depozitohen këto gërmadha dhe sa i kontrolluar është ky proces nga bashkia e këtij qyteti.

Por si realizohet depozitimi i mbetjeve urbane në Shqipëri. Për këtë përcaktohet se Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektorati për Mjedisin dhe njësitë e qeverisjes vendore merren me këtë proces.

Neni 21, pika 12 e ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” i përcakton kryetarët e njësive të qeverisjes vendore janë përgjegjës për menaxhimin dhe administrimin e mbetjeve që krijohen brenda territorit të tyre administrativ, në përputhje me kërkesat e këtij ligji. Në rast të shkeljeve, të mos zbatimit të rregullave ligjore për mos hedhjen në vendet e përcaktuara me ligj dhe me vendim të mbetjeve ndëshkohet me gjobë. A do të ndodhë kështu edhe me Bashkinë e Durrësit?!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re