Praktika e premtimeve elektorale për rrugë e punësim është e njohur tashmë për qytetarët, pasi ata janë mësuar se sa herë ka zgjedhje politikanët bëhen “qengja” dhe shkojnë derë më derë duke u premtuar gjithçka në këmbim të votës.

E njëjta situatë ka ndodhur edhe në qytetin e Kuçovës, ku në 12 Shkurt 2021, kyetari i bashkisë Kuçovë Kreshnik Hajdari, ka prerë shiritin e punimeve për “Rikualifikimin e plotë të Bllokut nr.2 në lagjen Llukan Prifti”.

Projekti me vlerë 77 milion lekë (të reja) filloi në 12 Shkurt 2021 dhe duhet të përfundonte në 12 Gusht 2021, ashtu edhe siç ishte shkruar në tabelën e invetimit “afati i përfundimit 5 muaj”.

Por, siç shihet edhe nga pamjet filmike, po vjen muaji Gusht 2022 dhe ende kjo rrugë nuk ka përfunduar.

Premtimi për këtë lagje u bë gjatë fushatës elektorale dhe u premtua jo vetëm nga kryebashkiaku Kreshnik Hajdari por edhe deputetja e Kuçovës Ermonela Felaj dhe siç duket kjo rrugë “ka ngelur në mes të rrugëve”.

Prej muaj të tërë punimet janë ndërprerë dhe e gjithë lagjia noton në çakull e tym, ndërkohë që tabela e investimit dhe përfundimit të punimeve është zhdukur.

Ajo që është edhe më shqetësuese në të gjithë këtë lagje është fakti se në të dyja krahët e rrugës që filloi nga ndërtimi, puseta janë të gjitha të hapura dhe nuk ka fare ndriçim.

Banorët e lagjes “Llukan Prifti” në Kuçovë pohojnë se punimet janë ndërprerë prej muajsh dhe situata është shqetësuese.

“Fëmijët rrëzohen e vriten duke kaluar në çakull për të shkuar në shkollë, na mbyti pluhuri e balta dhe nuk dimë ku të ankohemi pasi askush nuk na e hap derën”- shprehen banorët.

Kjo rrugë po mbush vitin që duhet të kishte përfunduar por duket qartë që është harruar nga pushteti vendor dhe banorët e lagjes duhet të presin tashmë zgjedhjet e ardhshme,me shpresën për tu mbyllur.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re