Prej ditës së djeshme, një zjarr i fuqishëm ka përfshirë fshatrat Rehovë, Plashnik, Lugas, Zhapokikë, Vokopolë dhe Zonën e Mbrojtur “Ballollë” në Njësinë Administrative Tërpan, Bashkia Poliçan!
Zjarri ka qenë tejet agresiv dhe ka krijuar një situatë të vështirë, veçanërisht në terrenin e vështirë dhe pyjet e shkurret që e kanë përkeqësuar situatën. Për të shuar flakët, ka ndërhyrë një helikopter ditën e djeshme, duke arritur të ulë intensitetin e zjarrit.
Sot, situata ka mbetur aktive, por nën kontroll, dhe është ndërhyrë nga ajri me tre helikopterë, të cilët kanë mundësuar reduktimin e përmasave të flakëve. Në këto momente, mbeten aktive tre vatra zjarri në Zonën e Mbrojtur “Ballollë”, dy në fshatin Plashnik dhe një në fshatin Lugas.
Dëmet janë të konsiderueshme: shumë shtëpi të pabanuara janë djegur, si dhe sipërfaqe të mëdha toke bujqësore dhe pemë frutore. Sipas informacionit të fundit:
-
Në fshatin Vokopolë janë djegur 6 shtëpi të pabanuara dhe sipërfaqe të konsiderueshme tokë bujqësore.
-
Në fshatin Rehovë janë djegur 10 shtëpi të pabanuara, një pallat 2-katësh, 2 krerë lopë dhe sipërfaqe të mëdha toke bujqësore dhe pemë frutore.
-
Në fshatin Lugas janë djegur 5 shtëpi që përdoreshin disa muaj në vit dhe një sipërfaqe pyjore e pemë frutore.
-
Në fshatrat Plashnik dhe Zhapokikë, dëmet janë më të kufizuara, duke përfshirë vetëm tokë bujqësore dhe pemë frutore.
-
Zona e Mbrojtur “Ballollë” ka pësuar dëme të konsiderueshme, ku shumë pyje dhe shkurre janë djegur plotësisht.
Për të vlerësuar dëmet dhe për të përgatitur një proces të dëmshpërblimit, është ngritur një grup pune nga Kryetari i Bashkisë Poliçan. Po bëhet një vlerësim i plotë i dëmeve për shtëpitë, tokën bujqësore dhe pemët frutore të djegura.
Ekipet zjarrfikëse dhe punonjësit e Bashkisë Poliçan janë në terren, duke mbajtur nën monitorim situatën dhe punuar intensivisht për shuarjen përfundimtare të flakëve!






