Skip to content

Bashkimi Evropian: 25 milionë euro ndihmë për Gazën, Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor

Bashkimi Evropian (BE) njoftoi një paketë ndihme humanitare prej 25 milionë eurosh për palestinezët në Gaza nën bllokadën izraelite dhe palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor.

Komisioni i BE-së në një deklaratë me shkrim tha se fondi humanitar i BE-së prej 25 milionë eurosh do të mbështesë aksesin e familjeve palestineze në shërbimet dhe ndihmën bazë, e cila bëhet edhe më urgjente nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe mungesa e ushqimit, si pasojë globale e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

“BE këmbëngul në respektimin e plotë të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe dënojmë evakuimin e civilëve dhe shkatërrimin e shtëpive, shkollave dhe infrastrukturës bazë të tyre. Kjo duhet të ndalet,” thuhet në deklaratë.

Fondi do të fokusohet në ofrimin e kujdesit shëndetësor, duke përfshirë kujdesin mendor për traumat, për ata që janë prekur nga dhuna e vazhdueshme, pasojat e bllokadës në Gaza dhe pandemia COVID-19, gjithashtu duke i dhënë prioritet përmirësimit të aksesit të djemve dhe vajzave palestineze për të mbrojtur të drejtën e tyre në aksesin e tyre në arsim.

Në deklaratë, theksohet se 2,1 milionë nga 5,3 milionë palestinezë kanë nevojë për ndihmë humanitare dhe 63 për qind e popullsisë së rajonit do të ketë nevojë për një lloj ndihme humanitare pasi bllokada dhe konfliktet e përhershme në Gaza paralizojnë ekonominë e saj.
Burimi: AA