Bashkimi Evropian (BE) miratoi zyrtarisht sot embargon ndaj naftës ruse dhe sanksione të tjera që synojnë bankat dhe transmetuesit kryesorë për shkak të luftës ruse kundër Ukrainës.

Selia e BE-së thotë se nafta e papërpunuar ruse do të hiqet gradualisht gjatë gjashtë muajve, kurse produktet e tjera të naftës së rafinuar gjatë tetë muajve.

Më tej thuhet se “është parashikuar një përjashtim i përkohshëm” për vendet pa dalje në det si Hungaria, Republika Çeke dhe Sllovakia, që “vuajnë nga një varësi specifike nga furnizimet ruse dhe nuk kanë alternativa tjera”.

Bullgaria dhe Kroacia do të marrin gjithashtu “dërgime të përkohshme” për disa lloje nafte. Udhëheqësit e BE-së thonë se sipas masës, rreth 90 për qind e eksporteve të naftës të Rusisë në Evropë do të bllokohen deri në fund të vitit. BE-ja importon rreth 25 për qind të naftës nga Rusia.

Banka më e madhe e Rusisë, Sberbank, Banka e Kreditit e Moskës, Banka Ruse e Bujqësisë dhe Banka Bjelloruse për Zhvillim dhe Rindërtim janë bllokuar gjithashtu të përdorin sistemin për transfertat bankare ndërkombëtare SWIFT.

Transmetuesit Rossiya RTR/RTR Planeta, Rossiya 24 dhe TV Center International janë përfshirë në sanksione për akuzat se po përdoren nga Moska “për manipulimin e informacioneve dhe për promovimin e dezinformatave në lidhje me pushtimin e Ukrainës”.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re