Numri dy i i Partisë Socialiste, Taulant Balla i pyetur lidhur me deklaratën e kryetarit të VV, Albin Kurti për bashkim kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë, u shpreh se qëndrimi i PS lidhur me këtë çështje mbetet i pandryshueshëm, Shqipëria dhe Kosova bashkohen vetëm në Bashkimin Evropian.

“Nuk janë çështje për të bërë deklarata populiste. I qëndroj qëndrimit të kahershëm të PS, se shqiptarët në këtë anë të kufirit dhe në atë anë të kufirit do të bashkohen në rrugën drejt Brukselit dhe në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe Kosovës drejt integrimit, e kemi mundësinë ta shohim integrimin evropian si koncept të bashkimit të shqiptarëve”, tha deputeti i PS.

Mbi programin e PS për zgjedhjet e 25 prillit, z. Balla tha se ka përfunduar 99 për qind të punës për një platformë që bëhet nga disa pjesë Shqipëria 2030 dhe brenda saj është edhe programi qeverisës për mandatin e tretë.

Brenda programit të PS sipas tij, do të ketë objektiva afatshkurtra siç është vaksinimi, që synohet të mbyllet brenda 14 muajsh dhe rindërtimi.

Ndër objektivat e PS në këtë mandat, tha sekretari i përgjithshëm i PS, është hapja e bisedimeve me Bashkimin Evropian, i cili siç tha lidhet me një sërë reformash të rëndësishme në vend.

Z. Balla tha se Partia Socialiste nuk do të bëjë kurrë aleancë qeverisëse me LSI, madje sipas tij PS do të çojë deri në fund projektin e nisur në 2017 me kreun e PD Lulzim Basha, ‘për ta çuar LSI për skrap’

Ai e cilësoi të papranueshëm vendimin e PD për të lënë mandatet teksa theksoi se asnjë parti politike nuk e ka të drejtën të tradhtojë mandatin që i ka dhënë populli!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re