Deputeti demokrat, Ervin Salianji, nga Fieri, është shprehur se bashkimi i Partisë Demokratike ishte një akt i domosdoshëm, por i pamjaftueshëm nëse nuk hapen më shumë drejt shoqërisë, nëse nuk vlerësojnë kontributorët e vërtetë të PD apo diasporën, për të qenë shpresa e munguar në vend.

Salianji gjithashtu u shpreh se e vetmja mënyrë për të zhbërë Rilindjen, është rritja dhe forcimi i PD-së.

“Nuk mund të shpall sot se denoncimet tona na kanë bërë të jemi të kënaqur, sepse jemi konfirmuar. Nuk është gëzim të shohësh sesi e ka degraduar shtetin Edi Rama. Ne e kemi thënë fjalën tonë dhe pse me kërcënime. Nuk jam i gazuar se na doli fjala. Do të doja të mos kisha të drejtë dhe vendi të mos kishte pasur këto pasoja, por të kishim një shtet të së drejtës. Por nuk ka ndodhur kështu, sepse gjithçka është nisur që në ngjizje. PS i mori votat me eksponentët të krimit të organizuar në çdo cep të Shqipërisë.

Rilindja dhe Edi Rama dhe pse janë në një krizë të mosparë më parë, janë ende në gjendje të bëjnë keq. E vetmja mënyrë për të zhbërë Rilindjen, është rritja dhe forcimi ynë, është kualiteti ynë dhe bashkimi është një akt i domosdoshëm që ka ndodhur në PD, por i pamjaftueshëm nëse nuk hapemi më shumë drejt shoqërisë, nëse ne nuk vlerësojmë kontributorët e vërtetë të PD, diasporën, për të qenë shpresa e munguar në këtë vend.

Ne e kemi bërë një hap, por kemi shumë për të hedhur. Shpejtësia me të cilën do t’i hedhim do të jetë përcaktues për fitoren në zgjedhje”, tha deputeti demokrat.

Fjala e plotë e Ervin Salianjit:

Të dashur miq,

Vijmë në këtë takim pasi shumë zhvillime kanë ndodhur në Shqipëri.

Ajo për të cilën nuk ka më nevojë për koment, për debate e argumenta, është se qeverisja, Edi Rama e ka mbyllur ciklin. Nuk ka më asnjë të pavendosur, asnjë të paangazhuar, madje asnjë socialist të ndershëm, që nuk e ka kuptuar se pas 11 vitesh rilindja e instaloi korrupsionin si formë, si mënyrë, si arsye e të qënit, si stil jete, në çdo qelizë të shtetit.

A dini ju vallë sot, a mund ta thotë dikush, një sektor të vetëm, një dikaster, një ministri, një fushë nën kontrollin e Edi Ramës, ku nuk ka një aferë skandaloze hajdutërie me miliona euro zhvatje e përfitim.

E përfytyroni dot sot se si ndihet një socialist që ka vite e vite që mbush sheshet për Edi Ramën, që paraqitet në takime, që kërkon vota, që rropatet, që shkon komisioner a vëzhgues, që është ushtar i partisë në çdo orë e moment që i kërkohet, kur sheh se çfarë bëjnë udhëheqësit e tij pasi marrin pushtetin. Se si mbushin xhepat me paratë e shendetësisë, të rrugëve, të inceneratorëve, të bujqësisë.

Si duhet të ndohet sot një socialist i ndershëm, mijëra socialistë në gjithë vendin, që i kanë dhënë mundin, sakrificën e tyre, atyre atje lart, kur shohin se ministrja merr pronë me falsifikim në Himarë e shpallet nga Edi Rama investitore strategjike.

Po si duhet të ndihet çdo socialist i ndershëm që rron me punë, kur sheh se e gjithë përpjekja e tij gjithë këto vite për të mbajtur Edi Ramën në pushtet është shndërruar në luks për Ilir Beqën.

Po si duhet të ndihet vallë një socialist i ndershëm sot, kur sheh se energjia e tij, besimi, orët pa gjumë që ka kaluar, janë shndërruar në privilegj e licensë per deputete te Partisë Socialiste.

Po pse për këtë luftuan socialistët e ndershëm këtu në Fier e në gjithë Shqipërinë.

Sa për demokratët, asnjëri nuk ka pasur asnjëherë ndonjë iluzion, se çfarë brumi, dhe çfarë materiali ishin këta.

Qytetarët e pavendosur, shtresa gri, që ngeli për shumë kohë duke pasur pikëpyetje e dyshime për Opozitën, çfarë mund të thotë sot?

Nuk mund të shpall sot se jam i kënaqur që koha na dha të drejtë. Nuk është gëzim dhe nuk ke çfarë feston kur shesh se si ka degjeneruar pushteti në vend. Askush nuk mund të jetë i lumtur me këtë. Edhe pse e kemi ditur që në krye të herës dhe e kemi thënë fjalën tonë, me forcë, me energji, nën kërcënime e presione të vazhdueshme. Edhe pse kemi qendruar në këmbë, në një atmosferë gjithnjë e më mbytëse, me hapësira që zvogëlohen e kontrollohen nga një dorë.

Unë nuk jam i gëzuar se na doli fjala.

Do të doja, në fund, që ne të mos kishim të drejtë, e vendi të kishte pasur një qeverisje të ndershme, që do t’u shërbente njerëzve, të gjithëve pa dallim.

Më mirë të përgenjështroheshim ne, e Shqipëria të ecte përpara.

Por për fat të keq, kjo nuk ndodhi. Dhe nuk mund të ndodhte, pasi gjithçka është ngjizur keq që në gjenezë. Në atë amalgamë krimi e korrupsioni, në atë bashkim jo parimor e jo moral që erdhi në pushtet 11 vite më parë.

Ky eskperiment tragjik mbi vendin tonë, ka zgjatur më shumë se duhet.

Duhet ndalur, një orë e më parë.

Por duhet të mos kemi asnjë iluzion. Rlindja dhe Edi Rama edhe pse janë në një krizë të pahasur më parë, edhe pse kanë humbur besimin tek çdo njeri normal, janë ende në gjendje të bëjnë keq.

E vetmja mënyrë për t’i zhbërë ata, është rritja dhe forcimi ynë, e sidomos kualiteti, cilësia jonë.

Ne kemi lënë pas një moment të vështirë, por kemi ende shumë hapa për të hedhur. Duhet të punojmë çdo ditë që të shndërrohemi në shpresën e humbur të këtij vendi, në alternativën që njerëzit presin.

Kjo është po aq rrugë e vështirë sa lufta dhe beteja me qeverisjen e korruptuar. Kërkon vizion e sakrificë. Kërkon të shohim përtej nesh, përtej interesit e kalkulimit të ditës.

Ne të dashur miq, do të jemi mirë, kur në këtë vend të vendoset drejtësi. Dhe drejtësia më e madhe është ajo e popullit, është vota e qytetarëve.

Jam i bindur se shqiptarët e kanë marrë këtë vendin. Por ne nuk duhet të rrimë thjesht në pritje. Duhet të tregojmë që sot se do ta meritojmë besimin e tyre, se çdokush do të ketë më shumë shanse, më shumë liri, më shumë garanci për të drejtat e tij, më shumë mbështetje e nxitje, më shumë përkrahje, me qeverinë që do të vijë në krye nga ndryshimi që do të ndodhë.

Dhe ndryshimi do të ndodhë.

Nuk ka asnjë dyshim.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re