Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në të ardhmen do të votojë për bashkim me Shqipërinë, por vetëm nëse një referendum i tillë do të mbahet në mënyrë paqësore dhe demokratike.

Në një intervistë për revistën online zvicerane Monocle, ai ka thënë se Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, e jo nga Shqipëria.

“Në të ardhmen, nëse do të paraqitej si referendum demokratik, do të votoja pro, por po e përsëris, vetëm nëse bëhet në mënyrë paqësore dhe demokratike”, tha Kurti i pyetur se si do të votonte në referendumin për bashkimin me Shqipërinë.

Për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë

Kryeministri i Kosovës përsëriti se pjesa qendrore e marrëveshjes së ardhshme gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja reciproke.

Ai tha se duhet të ketë një marrëveshje në të cilën të dyja palët do të zotohen të mos sulmojnë njëra-tjetrën.

Ai vlerësoi se Bashkimi Evropian është një faktor i rëndësishëm, i cili mund të ofrojë kornizë për një marrëveshje të ardhshme, sepse ai duhet të bazohet në frymën e vlerave evropiane, ligjit dhe rendit, demokratizimit dhe ballafaqimit me të kaluarën.

Duke folur për mundësinë e mbajtjes së referendumit për bashkimin e Kosovës në Shqipëri dhe integrimet evropiane, ai vlerësoi se qytetarët nëse do të mbaheshin dy referendume do të votonin për bashkim.

Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE

Kurti beson se për të arritur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon, mënyra më e mirë dhe më e shpejtë për përparim në të ardhmen do të ishte integrimi i të gjithë Ballkanit Perëndimor në BE menjëherë.

Ai theksoi se disa nuk duan të anëtarësohen në NATO, por theksoi se Kosova e dëshiron.

“Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete, por ne kemi të njëjtën gjuhë dhe jemi një popull. Kur shpallëm pavarësinë e shpallëm kundër Serbisë, jo kundër Shqipërisë. Nga ana tjetër, ka shumë qytetarë të BE-së që kanë shtetësi të dyfishtë. Mendoj se janë të shumtë ata që kanë tri pasaporta dhe i inkurajoj që të votojnë në të gjitha shtetet që kanë shtetësinë e tyre”, tha Kurti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re