Sekretari i Përgjithshëm i PD-së së Rithemelimit, Flamur Noka, në një takim në degën 7 në Tiranë është shprehur se rrugëtimi e demokratëve këto vite ka qenë i vështirë, por shton se sot janë më të bashkuar dhe të fortë për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës.

Noka tha se nuk ka ndodhur kurrë që opozita të sulmohet si në Shqipëri, por sipas tij kjo ndodh sepse vendi ynë qeveriset nga Edi Rama, për të cilin thotë se mendon si bizantin.

“Siç e keni ndjekur, ne jemi në ditën e dytë të një turi përbashkues të PD-së. E nisëm nga Shkodra dhe ja ku jemi sot në njësinë 7.

Ne demokratët kemi ecur këto vite në një rrugëtim të vështirë dhe të mundimshëm, si rrallë forcë opozitare në një vend demokratik. Treguan se pavarësisht terrorit për të na përçare, e përballuam këtë regjim dhe jemi sot më të fortë dhe më të bashkuar për t’i bërë ballë këtij regjimi dhe për ta rrëzuar.

Kjo meritë është e çdo demokrati që ka pranuar sakrificën këto vite duke rezistuar me një qëllim. Qëllimi është të shohë një PD të bashkuar dhe të aftë për t’i kthyer shpresën shqiptarëve.

Nuk ka ndodhur kurrë në asnjë vend ky sulm që i bëhet opozitës. Nuk ka ndodhur sepse nuk ka një qeveri si kjo, një regjim kaq barbarë sa regjimi i Edi Ramës.

Askund nuk ka një kryeministër si Edi Rama që mendon dhe ëndërron në mënyrën më bizantine.

Jemi të bashkuar me shpirt por dhe për t’u ngritur në këmbë. Vetëm të bashkuar do ia dalim.

Jemi të bashkuar prej 4 muajsh në aksionin opozitar, por sot jemi të bashkuar në rrënjë dhe degë dhe kjo e ka tmerruar regjimin e Edi Ramës. Bashkimi ynë ka ngjallur shpresë te demokratët dhe shqiptarët”, tha Noka.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re