Nisur nga ngjarjet e ditëve të fundit mes policive bashkiake që
drejtohen nga e djathta dhe forcave të rendit Komisioni Qendror i
Zgjedhjeve u ndje i detyruar të ndryshojë strategji lidhur me vendosjen e
KZAZ në këto njësi vendore.

Një ndër to edhe ajo e Kukësit, u vendos nga përfaqësuesit e
maxhorancës në KQZ, që të kalojë nga pronat publike të bashkisë së këtij
qyteti në një ambient privat.

Kryetari i KQZ-së Klement Zguri, duke u mbështetur në dekretin e
Presidentit që anulon mbajtjen e zgjedhjeve të 30 Qershorit, shpjegoi
votën kundër.

“Me keqardhje shoh që nuk ka asnjë përpjekje serioze nga askush, as
individë e as institucione që mund të kenë mundësinë ligjore për të vënë
në lëvizje dhe bërë vlerësim real të dekretit të Presidentit. Për këto
arsye jam kundër vendimmarrjeve në parim.”

Si pasojë e kërcënimeve për bllokim zgjedhjesh nga bashkitë që
administrohen nga opozita, KQZ-ja vendosi të ndryshojë mbi 20 qendra
votimi nga shkolla publike në qendra shëndetësore, të cilat janë në
varësi të Ministrisë së Shëndetësisë.

Por teksa KQZ-ja vijon punën për zgjedhjet lokale, kreu i opozitës
Lulzim Basha ka kërkuar nga kryetaret e bashkive të djathta të vazhdojnë
me këmbëngulje zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit për dekretin e
Presidentit. Në një mbledhje pas protestës, Basha i kërkoi të zgjedhurve
të opozitës në pushtetin lokal që ditën e hënë të nxjerrin urdhrin për
heqjen e listave të zgjedhësve në qendrat e votimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re