Partitë opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut, të shtunën, më 17 shkurt, kanë firmosur deklaratën për bashkimin opozitar shqiptar, të cilin e vlerësojnë si “hap të rëndësishëm drejt unifikimit të partive shqiptare” në këtë shtet.

Koalicioni opozitar do të mbajë emrin “VLEN”, ndërsa deri tani quhej Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN).

“Bashkimi po hedh themelet e një epoke të re mes partive shqiptare në vend, duke shfaqur një unitet të përbashkët për të përballuar sfidat dhe për të ndërtuar një vizion të përbashkët për të ardhmen e shqiptarëve në vend”, thuhet në deklaratën e nënshkruar në Shkup.

Deklarata është nënshkruar edhe nga Bekim Qoku, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, partia e të cilit mbështet opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Lëvizja Vetëvendosja, që drejtohet nga Kurti, do të ketë anëtarë të saj në listat zgjedhore për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Maqedoninë e Veriut më 8 maj.

Pjesë e opozitës janë partitë që deri tani përbënin Lidhjen Evropiane për Ndryshim: Lëvizja Demokratike, Alternativa, Lëvizja Besa. Tani pjesë e tyre është edhe Aleanca për Shqiptarët që drejtohet nga Arben Taravari.

Taravari të enjten, më 15 shkurt, shpalli kandidaturën për president të Maqedonisë së Veriut për zgjedhjet e 24 prillit.

Ai ka mbështetjen e të gjitha partive opozitare dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Unë s’dua më të përmend kundërshtarë politikë, ne do ta bëjmë betejën politike me një sistem të kalbur 22-vjeçar që i mërgoi shqiptarët, i nënçmoi shqiptarët në çdo aspekt, e prishi dhe shkatërroi të gjithë sistemin e vlerave që ekzistonin te shqiptarët. Prandaj, kundërshtari jonë është sistemi i kalbur. Lëvizja po vjen, Lëvizja do ta sjellë ndryshimin më 8 maj”, tha Taravari.

Para shpalljes së kandidaturës, Arben Taravari dhe përfaqësues të tjerë opozitarë kishin pasur një takim në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku temë debati kishte qenë edhe “nevoja që shqiptarët të dalin me kandidat për president”.

“Me 24 prill, ne do të dëshmojmë dhe demonstrojmë që ky shtet ka dy shumica dhe dhjetëra pakica, dhe ne si shumicë e dytë kemi kapacitet intelektual, njerëzor që të garojmë për president të këtij shteti”, deklaroi Izet Mexhiti, një nga përfaqësues e opozitës shqiptare.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në pushtet që drejtohet nga Ali Ahmeti, që do të garojë përballë opozitës, ende nuk ka bërë të ditur nëse do të marrë pjesë me kandidat të tij në zgjedhjet presidenciale apo të mbështesë kandidatin e Lidhjes Social Demokrate, sikur në zgjedhjet e kaluar.

Partitë kanë afat të shpallin kandidaturat për president deri më 19 mars.

Zgjedhjet për president do të mbahen në dy runde, i pari më 24 prill, ndërsa rundi i dytë do të mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare, më 8 maj./rel

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re