Burrë e grua 52 dhe 48 vjeç dhe fëmijët e tyre 21 dhe 16 vjeç
Të dielën në Spanjë dhe konkretisht në një shtëpi në Guillena, në provincën e Seviljes, bateria e një celulari teksa po karikohej ka shpërthyer dhe ka shkaktuar zjarr. Katër persona nga e njëjta familje vdiqën nga zjarri: bashkëshortët José Antonio Rendón, 48 vjeç, dhe Antonia Hidalgo, 52 vjeç, dhe fëmijët e tyre Adrián, 16 vjeç, dhe José Antonio , 21 vjeç. Shkaku u konstatua nga hetimet e kryera nga Guardia Civil dhe të raportuara nga agjencia Efe dhe media të tjera.
Siç raportojnë shërbimet e urgjencës lokale, flakët kanë shpërthyer herët në mëngjes në shtëpinë dykatëshe ku banonte familja. Tre nga anëtarët e saj, përkatësisht bashkëshorti, gruaja dhe një nga fëmijët, ishin brenda, ndërsa djali tjetër u befasua nga zjarri tashmë në zhvillim teksa po kthehej në shtëpi dhe u përpoq të ndihmonte prindërit dhe vëllain e tij, sipas rindërtimit të dëshmitarëve. Asnjë nga të katër nuk mbijetoi.
Thirrja e parë e marrë nga zjarrfikësit ishte në orën 6 e tetë minuta, raporton Diario di Seville, por kur zjarrfikësit mbërritën, zjarri tashmë kishte përfshirë shtëpinë me flakë që dilnin nga dritaret dhe një sasi e madhe tymi. Disa banorë ishin përpjekur të shpëtonin familjen e bllokuar por nuk ia dolën. Më vonë zjarrfikësit gjetën trupat. E gjithë familja vdiq nga thithja e tymit.
Celulari, bateria e të cilit shpërtheu, duke shkaktuar zjarrin tragjik, po ngarkohej në katin e poshtëm të shtëpisë, i mbështetur në një divan, thanë hetuesit. Fillimisht u mendua se zjarri ishte shkaktuar nga një skuter elektrik që po ngarkohej, por kjo hipotezë u hodh posht më vonë.
