Ditën e djeshme në emisionin “Opinion” ishin të ftuar një nga organizatorët e protestave për rritjen e çmimeve, Adriatik Lapaj dhe një nga kontestuesit e saj, Baton Haxhiu.
Avokati Lapaj tha se njerëzit po protestojnë kundër abuzimit dhe spekulimit, ndërkohë që u shpreh se kërkohet që çmimet të jenë si të vendeve të tjera në rajon.
“Përkufizimi i protestës është halli, problemi. Dëgjoj shpesh që më thonë po bie protesta. Nuk ka si bie protesta kur çmimet po vazhdojnë të rriten”, tha Lapaj.
Sa i përket momentit që po bëhet protesta, Lapaj tha se “vendet e tjera rreth nesh janë dukshëm me çmime më të ulëta se ne dhe këtu është thjesht abuzim. Ne po kërkojmë të trajtohemi njësoj si vendet fqinje rreth nesh.
Nëse çmimet shkojnë në kufijtë e vendeve fqinje jam gati ta përballojmë krizën dhe ta mbështesim qeverinë tonë në luftën e madhe që po ndodh në gjeopolitikë që nuk është lufta jonë. Jemi këtu kundër abuzimit, jemi këtu kundër spekulimit dhe jemi këtu kundër mungesës së shtetit për të qenë amortizator dhe rregullator në një treg normal”.
Ndërkohë Haxhiu ka thënë se protesta është neveritëse sepse ndodh jashtë kontekstit ku po jetojmë, pasi ekziston një konflikt në Ukrainë. Për këtë shembull mori edhe përjetimin personal me luftën në Kosovë. Ndër të tjera, Haxhiu tha se edhe koncerti i Malumës në Tiranë ishte neveritës.
“Së paku ta kam treguar. Kam jetuar me dy mollë në kohë lufte. Kam jetuar me një copë bukë në kohën e konfliktit. Përjetimi i dhunës, frika nga vdekja dhe barku janë dy çështje të cilat nuk hyjnë në mendjen e një njeriu nëse ke pushkën përpara, vrasjen, dhunën, vdekjen etj.
Përjetimi i luftës është gjëja më e shëmtuar në jetë dhe nuk ka gjë më të vështirë. Mund të jetosh edhe me një mollë, mund të jetosh edhe me varfërinë më të madhe, por lufta është e tmerrshme. Ky përjetim sa herë që më del në sy, ma nxjerr Ukrainën përpara. Ma nxjerr vuajtjen. Unë shoh pasqyrën e njeriut me dhimbje dhe pa liri.
Ky njeri nuk e ka mirëqenien pjesë të saj. Në gjeopolitikë dhimbja dhe vrasja dhe të gjitha që vijnë pas saj në këto momente prevalojnë kërkesën e protestuesve. Nuk e fsheh, protesta është neveritëse. Jo se këta nuk kanë të drejtë për çmimet, por momenti kohor është jashtë konteksti. Vuajtja dhe kërkesa për mirëqenie janë dy gjëra.
Ne jemi pjesë e NATO-s, vetëm pushka edhe plumbi ende nuk ka kërcitur dhe të gjithë këta që janë këtu janë potencialisht meshkujt dhe nëse NATO hyn në luftë, janë potencialisht ata që duhet të veshin për të mbrojtur të tjerët dhe lirinë. Kur ky potencial e kërkon në një moment kohor jo të duhur, çmimin, naftën pa e ngritur në një mënyrë tjetër. Kjo protestë është shembull vizual si mund ta keqpërdorë dikush.
Në çfarë do varianti në një media ruse do të quhej përkrahje. Ndonjëherë nuk je i vetëdijshëm se po i shërben një situate. Këta njerëz kanë halle, po kanë të drejtë në disa pika, mund të jenë edhe protestues për deklaratat e ministreve dhe koncertin e Malumës që është po ashtu neveritës”, tha Haxhiu.
…
/faxweb