9 nëntor- Rreth 18 milionë dollarë do të financojë Banka Botërore për një sërë projektesh infrastrukturore turistike në lagjet “Mangalem”, “Goricë” dhe qendrën e qytetit.

Lajmi u bë i ditur nga kryetari u bashkisë së Beratit, Ervin Demo, i cili thekson se jemi në rrugë të mbarë për fillimin e transformimit të qytetit.

“Gjatë dy muajve të fundit kemi punuar intensivisht së bashku me partnerët në mirëpërcaktimin e projekteve dhe ditët e fundit mbyllëm me sukses takimin e radhës për Programin e Investimeve, për periudhën kohore 2020-2021, me Ekipin e Bankës Botërore, Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, mbi “Programin për Zhvillim të Integruar Urban dhe Turistik””, – tha Demo.

Kryebashkiaku shprehet se “ndërhyrjet përfshijnë: restaurimin e peizazhit historik urban të Lagjes ‘’Goricë’’; rehabilitimin urban të Sheshit “Iljaz Vrioni”, rigjenerim i zonës përreth Muzeut Etnografik dhe Rrugës “Mihal Komneno”, restaurim dhe përdorim me përshtatje i ish- Selamllëkut të Vrionasve dhe zonës rrotull; përmirësim pamor i siluetës urbane përgjatë rrugës ‘’Antipatrea’’ në qendër të qytetit;
rehabilitimi i shtegut të Kalasë së Goricës dhe krijimi i potencialeve turistike pranë monumenteve dhe vendosje sinjalistike turistike dhe tabelat informuese për vizitorët”.

Programi gjithashtu mbështet ngushtë edhe rritjen e kapaciteteve të “bashkisë Berat në fushën e turizmit dhe menaxhimit të destinacioneve.

“Duket ëndërr, por së shpejti do ta kthejmë në realitet”, thekson Demo.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella, ose kalaja, siç quhet nga beratasit, është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta./atsh

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re