Dhjetë vjet më parë, Kosova nuk kishte luajtur kurrë një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës ndërsa tani është 90 minuta larg kualifikimit për në Botërorin 2026.
Kosova e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 dhe u njoh zyrtarisht nga FIFA dhe UEFA në vitin 2016, pret Turqinë në ndeshjen eliminatore të mbrëmjes së sotme, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Ecuria mbresëlënëse e “Dardanëve” ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave botërore.
Disa e kanë quajtur të martën ditën më të madhe në historinë e Kosovës që kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.
Kosova u lejua të luante ndeshjen e saj të parë nga FIFA në mars të vitit 2014, një barazim 0-0 me Haitin.
Më 5 shtator 2016, Kosova luajti ndeshjen e saj të parë kualifikuese për Kupën e Botës dhe barazoi 1-1 në Finlandë, por kjo u pasua nga nëntë humbje radhazi, pasi Kosova përfundoi e fundit në grup, duke shënuar vetëm tre gola në 10 ndeshje.
Por Kosova, e aftë të thërriste lojtarë të kualifikuar të lindur në vende të tjera evropiane si Gjermania, Zvicra dhe Suedia, u përmirësua shpejt.
Në kualifikueset e Euro 2020, ata morën kryesimin në një ndeshje jashtë fushe kundër Anglisë përpara se të humbnin 5-3 , por përfunduan të tretët dhe u mposhtën nga Maqedonia e Veriut në gjysmëfinalet e play-off-eve.
Në një intervistë me BBC, Anel Rashkaj, kapiteni i Kosovës në atë barazim 0-0 me Haitin, shpjegoi se si ishte të luaje për kombin në hapat e tij të parë.
“Isha 17 ose 18 vjeç dhe ëndrra ime ishte të luaja për ekipin kombëtar, pasi të vija nga një luftë”, tha Rashkaj.
“Na u desh të luftonim me klubet tona për të luajtur sepse ata thoshin, ‘nuk është një ekip kombëtar’ dhe ‘nuk është një takim i UEFA-s’. Nuk kishim para për të organizuar kampe dhe hotele. Të gjitha këto gjëra u organizuan nga njerëz të Kosovës që jetojnë në Evropë. Ishte stresuese të prisja kaq gjatë. Isha ndoshta i pari që i thashë ‘po’ ekipit kombëtar dhe arrita të isha kapiten në këtë ndeshje të parë zyrtare”, tha ai.
“Na bën krenarë që njerëzit shohin se populli i Kosovës ka shumë për të kontribuar në botë”, shtoi ai pak para ndeshjes me Kosovën.
Kujtojmë se, për ndeshjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të hënën, ka miratuar vendimin për t’i ndarë 500 mijë euro shpërblim përfaqësueses së Kosovës. Kjo shumë do të transferohen në llogarinë e Federatës së Futbollit, ku më pas FFK do t’ia shpërndajë futbollistëve dhe stafi.
Në rast se Kosova shkon në Botëror, atëherë Qeveria e Kosovës do t’i ndajë edhe 1 milionë euro të tjera premio për futbollistët dhe stafin.



