Korporata Britanike e Transmetimeve (BBC) do t’i paguajë dëmshpërblim ish-dados së princave William dhe Harry, Tiggy Legge-Bourke, për përhapje të akuzave të rreme në lidhje me të.

Sipas BBC-së, transmetuesi britanik i ka kërkuar falje Alexandra Pettifer, e njohur si Tiggy, para Gjykatës së Lartë për akuzat e pabaza se ajo kishte një lidhje me babanë e dy princërve, Princin e Kurorës Charles, dhe kishte abortuar.

Në tekstin e lexuar në gjykatë u tha se BBC kishte bërë qëllimisht një sërë akuzash të pavërteta, duke përfshirë marrëdhënien e Pettifer me Princin Charles, ndërsa arsyeja kryesore e akuzave ishte pjesë e përpjekjeve për të marrë një intervistë ekskluzive nga Princesha Diana, nëna e William dhe Harry.

Avokatja e Pettifer, Louise Prince, tha se akuzat e rreme në fjalë kishin pasoja të rënda personale për shumë vite. BBC ka thënë se i vjen “shumë keq për dëmin serioz dhe të qëndrueshëm” ndaj Pettifer dhe familjes së saj.

Edhe pse shuma e dëmshpërblimit që do të paguhet nuk u bë e ditur, u njoftua se BBC do të mbulojë edhe shpenzimet e padisë.

Një hetim u nis vitin e kaluar se gazetari Martin Bashir, i cili intervistoi Princeshën Diana në programin Panorama të BBC-së në vitin 1995, kishte përdorur dokumente false për të arritur tek princesha.

Hetimi zbuloi se intervista ishte realizuar duke përdorur dokumente të falsifikuara dhe nuk përmbushte “standardet e ndershmërisë dhe transparencës” të BBC-së.

Pas hetimeve, të cilat zbuluan se lajmi për dadon u përhap edhe për këtë intervistë, BBC i kërkoi falje familjes mbretërore për intervistën në fjalë.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re