Bashkimi Evropian shprehu shqetësimin për dhunën në rritje nga kolonët hebrenj kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe u bëri thirrje autoriteteve izraelite që “të marrin masat e nevojshme”.

Në një deklaratë me shkrim nga Përfaqësia Palestineze e BE-së, thuhet se dhuna e fundit e hebrenjve fanatikë në vendbanimet ilegale në Bregun Perëndimor ndaj palestinezëve dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut në solidaritet me ta është alarmante.

“Sipas ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut, autoritetet izraelite duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur palestinezët dhe pronat e tyre kundër dhunës së kolonëve”, thuhet në deklaratën që u bëri thirrje autoriteteve izraelite që të “parandalojnë dhunën e kolonëve”.

Bregu Perëndimor i pushtuar është dëshmitar i sulmeve në rritje ndaj palestinezëve nga kolonët hebrenj, shumica dërmuese e të cilëve janë të armatosur.

Ekzistojnë më shumë se 250 vendbanime të paligjshme hebreje në Bregun Perëndimor, të cilin Izraeli e pushtoi në vitin 1967. Më shumë se 500 mijë kolonë hebrenj që jetojnë në këto territore e bëjnë jetën edhe më të vështirë për palestinezët që jetojnë nën okupim në Bregun Perëndimor.

Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet hebraike në territorin e pushtuar konsiderohen të paligjshme.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re