Numri i aplikimeve për azil në vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) në vitin 2017 ka rënë me rreth 50 për qind krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat e Zyrës së Statistikave Evropiane (Eurostat) tregojnë se në vitin 2017 numri i azilkërkuesve në vendet e Unionit ishte 650 mijë ndërkohë që në vitin 2016 në BE janë parashtruar 1 milion e 206 mijë e 500 kërkesa për azil.

Eurostat ka njoftuar se numri i aplikimeve për azil i vitit të kaluar mund të krahasohet me numrat përpara krizës së azilit në vitin 2015.

Më tej thuhet se sirianët, irakianët dhe afganët përbëjnë shumicën e kërkesave për azil me rreth 30 për qind të numrit të përgjithshëm të aplikimeve. Në vitin 2017, numri i sirianëve që kërkuan azil në vendet e BE-së arriti në 102 mijë e 400 ndërsa numri i irakianëve ishte 47 mijë e 500 dhe i afganëve 43 mijë e 600.

Shumica e kërkesave ishin në Gjermani

Bëhet e ditur se në vitin 2017 në Gjermani janë parashtruar 31 për qind e aplikimeve për azil. Përderisa në Gjermani kanë aplikuar për azil 198 mijë e 300 persona, pas saj vjen Italia me 126 mijë e 600 aplikime, e ndjekur nga Franca, Greqia, Britania e Madhe dhe Spanja, shkruan aa. Vendet ku janë regjistruar më pak aplikime për azil janë Sllovakia, Polonia, Portugalia, Çekia dhe Estonia./.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re