Skip to content

BE dhe SHBA arrijnë marrëveshje për furnizim me gaz

Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja njoftuan sot një marrëveshje të re për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror shtesë për bllokun me qëllim të frenimit të varësisë së bllokut nga importet ruse.

“SHBA-ja së bashku me partnerët ndërkombëtarë do të punojnë për të siguruar 15 miliardë metra kub gaz të lëngshëm natyror (LNG) shtesë për Evropën këtë vit”, tha presidenti i SHBA-së, Joe Biden në një konferencë të përbashkët për media me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Marrëveshja është pjesë e planit të BE-së për të reduktuar varësinë nga energjia ruse dhe për të ulur importet e gazit me dy të tretat deri në fund të këtij viti.

Sipas marrëveshjes, SHBA-ja do të punojë për të siguruar furnizimin vjetor të një shtesë prej 50 miliardë metra kub (bcm) LNG deri në vitin 2030.

“Eliminimi i gazit rus do të ketë një kosto për BE-në. Nuk është vetëm gjëja e duhur për të bërë nga pikëpamja morale, por do të na vendosë në një bazë strategjike shumë më të fortë”, tha Biden.

Von der Leyen nënvizoi se heqja graduale e gazit rus dhe lëndëve djegëse fosile në përgjithësi dhe zëvendësimi i tyre afatgjatë me burime të rinovueshme do të përforcojë përpjekjet e BE-së për të arritur neutralitetin klimatik.

Presidenti amerikan të enjten mori pjesë në samitin e liderëve të BE-së për të diskutuar përgjigjen e koordinuar ndaj agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës.
Burimi: AA