Bashkimi Evropian ka dënuar sulmin e ndërmarrë nga Rusia në një shkollë në rajonin Luhansk të Ukrainës dhe njoftoi se qeverisë ruse do t‘i kërkohet llogari për sulmet e saj barbare.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dha deklarata në median sociale pas takimit nëpërmjet telekonferencës së liderëve të vendeve G7.

“Në takim koordinuam kundërpërgjigjet që do të jepen kundër sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Do të kërkohet llogari për barbarinë që kryen regjimi rus, përfshirë edhe sulmin e ndërmarrë në një shkollë në Luhansk”, tha Michel.

Ai tha se do të ofrojnë më shumë mbështetje për Ukrainën dhe se është i nevojshëm plani Marshall i sjellë në rend dite për rindërtimin e Ukrainës.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell në një postim nga media sociale tha se është tmerruar nga sulmi ndaj shkollës në Luhansk.

Duke rikujtuar se ka lajme që shumë fëmijë kanë humbur jetën, Borrell tha: “BE-ja dënon shpërfilljen e Rusisë për jetët e civilëve dhe mbështet përpjekjet për të nxjerrë autorët e këtij sulmi para drejtësisë”.

Guvernatori i rajonit Luhansk të Ukrainës, Sergey Gayday tha se një shkollë në fshatin Bilogorivka u shemb nga një sulm ajror i forcave ruse më 7 maj dhe se mund të kenë humbur jetën 60 persona që ndodheshin në strehimoren e shkollës.
Burimi: AA