Të gjithë ata që shpresojnë të udhëtojnë në Bashkimin Europian vitin e ardhshëm do të duhet të marrin një vaksinë përforcuese kur të bëhen më shumë se nëntë muaj nga momenti që kanë marrë vaksinat e tyre fillestare Covid, sipas propozimeve të reja nga Brukseli. Të enjten, Komisioni Europian propozoi një limit nëntë mujor për vlefshmërinë e vaksinës, i cili do të aplikohej për udhëtimet brenda dhe drejt BE-sё.

Nëse planet miratohen nga ministrat e BE-së, duke filluar nga 10 janari 2022, udhëtarët që nuk vijnë nga vendet anëtare të BE-së do t’i duhet të tregojnë provën e marrjes së një vaksine përforcuese të miratuar nga BE në momentin që kalojnë më shumë se nëntë muaj nga vaksinimi i tyre me dozat fillestare. Në mënyrë të ngjashme, edhe udhëtarët midis shteteve anëtare do të duhet të plotësojnë të njëjtin kusht për të shmangur testet Covid, karantinën dhe kufizime të tjera.

Komisioni shpreson të shmangë një miks konfuz rregullash mes 27 shteteve anëtare, ndërsa qeveritë përpiqen të shtrëngojnë kufizimet në jetën e përditshme pas një rritjeje të infeksioneve me koronavirus.

Planet u zbuluan të enjten pasi Agjencia Europiane e Barnave miratoi përdorimin e vaksinës Pfizer-BioNTech për fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç, duke hapur kështu rrugën që qeveritë të zgjerojnë fushatat e vaksinimit. Rregullatori i BE-së rekomandoi dy injeksione në pjesën e sipërme të krahut për fëmijët e shkollave fillore, me një distancë kohore prej tre javësh nga njëra-tjetra, në masën e një të tretës së dozës të të rriturve.

Propozimet e fundit të BE-së u japin përparësi personave të vaksinuar, ndërsa Brukseli synon të klasifikojë udhëtarët më tepër sipas statusit të tyre individual të shëndetit dhe të vaksinimit, sesa sipas vendit të tyre të nisjes.

Nga 1 marsi 2022, vendet anëtare të BE-së do të lejojnë hyrjen vetëm për udhëtarët e vaksinuar, të shëruar ose të shërbimeve të rëndësishme, siç janë shoferët e kamionëve. Sistemi aktual, sipas të cilit vendet shtohen dhe hiqen nga një listë e sigurt, do të hiqet, një ndryshim ky që zyrtarët mendojnë se ofron më shumë siguri.

Rekomandimi për t’i bërë dozat përforcuese të nevojshme pas nëntë muajsh për udhëtarët që nuk ofrojnë shërbime të rëndësishme dhe që nuk janë pjesë e BE-së, është pjesërisht një këshillë shkencore dhe pjesërisht një politikë praktike. Imuniteti zvogëlohet pas gjashtë muajsh, por zyrtarët e BE-së shtuan tre muaj ekstra për t’i lejuar qeveritë që të bëjnë gati dhe të fillojnë zbatimin e programeve të vaksinave përforcuese.

Ekzekutivi i BE-së gjithashtu dëshiron të lejojë hyrjen për udhëtarët e vaksinuar me vaksina që nuk janë të miratuara nga BE-ja, por që njihen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, të tilla si Sinopharm dhe Sinovac i Kinës, si dhe vaksina AstraZeneca e prodhuar nga Instituti i Serumit të Indisë. BE-ja ka miratuar vetëm katër vaksina: Pfizer-BioNTech, AstraZeneca (prodhuar në Europë), Janssen (Johnson & Johnson) dhe Moderna. Shumica e shteteve anëtare të BE-së lejojnë hyrjen vetëm për personat me vaksina të miratuara nga BE.

Sipas propozimeve të reja, udhëtarët për në BE që kanë marrë një vaksinë të miratuar nga OBSH por që nuk është e miratuar nga BE, mund të hyjnë në Bashkimin Europian, por do të duhet të testohen negativ për Covid. Testet dhe vaksinimi nuk kërkohen për fëmijët nën gjashtë vjeç, ndërsa ata të moshës gjashtë deri në 17 vjeç duhet të kenë një test negativ për Covid për të hyrë në BE. Brenda BE-së, fëmijët nën 12 vjeç janë të përjashtuar nga këto rregullat të udhëtimit.

Udhëtimi brenda BE-së është lehtësuar nga certifikata dixhitale Covid e BE-së, e cila u mundëson udhëtarëve të dëshmojnë se janë vaksinuar plotësisht, janë testuar negativ së fundmi ose janë shëruar plotësisht nga virusi.

“Pasaporta” e BE-së tani është lidhur me sisteme ekuivalente në 43 vende, duke përfshirë Zvicrën, Mbretërinë e Bashkuar, Turqinë dhe Zelandën e Re. Kjo do të thotë se certifikatat Covid të këtyre vendeve pranohen në BE dhe anasjelltas. Të paktën 20 shtete anëtare të BE-së përdorin certifikatën dixhitale për të kontrolluar hyrjen në bare, restorante, kinema dhe vende të tjera.

Zyrtarët e BE-së kanë frikë se nëse shtetet anëtare zgjedhin rregulla të ndryshme për udhëtimin, njerëzit do të humbasin besimin në pasaportën dixhitale të BE-së për Covid. Didier Reynders, komisioneri i BE-së për drejtësi, tha se qytetarët e BE-së që kanë certifikatën Covid të BE-së nuk duhet të përballen me kufizime shtesë kur udhëtojnë brenda unionit.

BE ka vaksinuar gati dy të tretën e popullsisë së përgjithshme dhe rreth tre të katërtën e të rriturve, shifra të pamjaftueshme këto për të evituar një rritje të rasteve si rrjedhojë e variantit akoma më ngjitës Delta dhe lehtësimit të kufizimeve.

Të enjten, kancelarja gjermane në largim, Angela Merkel, tha se “çdo ditë ka rëndësi” në aplikimin e masave të distancimit social, duke paralajmëruar se vendi i saj po përballet me “rritje eksponenciale” të rasteve. Një mori masash po aplikohen nga rajonet gjermane për të frenuar përhapjen e virusit, e megjithatë Merkel u kërkon atyre të shkojnë edhe më tej me masat shtrënguese.

Në fillim të kësaj jave, agjencia e BE-së për kontrollin e sëmundjeve, Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, ndryshoi udhëzimin e saj dhe bëri të rekomandueshme dozën përforcuese për të gjithë të rriturit, duke i dhënë përparësi moshës mbi 40 vjeç.

Komisionerja e BE-së për shëndetësinë, Stella Kyriakides, tha: “Ne kemi vaksinuar mbi 65% të popullsisë totale të BE-së, por kjo nuk mjafton. Ka ende shumë njerëz që nuk janë të mbrojtur. Në mënyrë që të gjithë të mund të udhëtojnë dhe të jetojnë sa më të sigurt, ne duhet të arrijmë norma shumë më të larta të vaksinimit, urgjentisht.”/ Monitor

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re