Projekti i financuar nga BE “Lufta kundër krimit të organizuar në Shqipëri përmes hetimit kriminal dhe financiar” i zbatuar nga FIIAPP. Projekti mbështet agjencitë shqiptare të zbatimit të ligjit

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi përshëndeti sot konferencën e zhvilluar me rastin e nisjes së zbatimit të një projekti të madh të financuar nga BE për luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri. Projekti “Lufta kundër krimit të organizuar në Shqipëri përmes hetimit kriminal dhe financiar” ka një fond prej 5.5 milion eurosh, do të zgjasë mbi 3 vjet dhe do të bashkë-kryesohet nga ekspertë të FIIAPP (Agjenci spanjolle e bashkëpunimit ndërkombëtar). Në menaxhimin e projektit janë të përfshirë edhe ekspertë të tjerë të huaj, italianë e holandezë, bashkë me përfaqësuesit e shumicës së institucioneve, që merren me luftën kundër krimit të organizuar, drogës, pastrimit të parave etj.. Projekti ka për qëllim forcimin e kapaciteteve të agjencive ligjzbatuese në vend, duke nisur nga Policia e Shtetit, SPAK etj., përmes trajnimesh etj., e deri në instalimin e një infrastrukture të posaçme, pajisjesh të teknologjisë së lartë dhe programesh të avancuara kompjuterike.

Duke folur rreth projektit, Ministri i Brendshëm Çuçi theksoi se:

“Ai është praktikisht një master-plan gjithëpërfshirës në luftën kundër krimit të organizuar, pasi, përveç Policisë së Shtetit, mbështetje e barabartë do të jepet edhe për Prokurorinë Speciale (SPAK), Njësinë e Hetimit Financiar (DPPPP), Prokurorinë e Përgjithshme, Byronë e Hetimit, Doganat dhe praktikisht çdo agjenci ligjzbatuese në vend.  Të gjitha ato janë rreshtuar në një front të përbashkët në luftën kundër krimit, çka i jep një natyrë ndër-institucionale.”

Ministri i Brendshëm më tej vuri në dukje përpjekjet e bëra nga qeveria dhe agjencitë ligjzbatuese në vend për luftën ndaj krimit financiar, sidomos kundër parasë së pistë, nëpërmjet operacionit “OFL”.

“Prej gati 15 muajsh një operacion në shkallë të gjerë, të emërtuar “Operacioni Forca e Ligjit”, i cili synon pikërisht zbulimin dhe sekuestrimin e pasurive dhe llogarive bankare të personave që kanë një hipotekë kriminale në curriculumin e tyre. Gjatë vitit kalendarit 2020, Policia e Shtetit ka referuar në SPAK 243 dosje që korrespondojnë me 1,877 pasuri të ndryshme, të tilla si ndërtesa, lokale, troje, llogari bankare etj. Ne kemi besim se organet e reja të drejtësisë do të japin vendime të drejta për të gjitha pasuritë me burim të dyshimtë.”

Duke falënderuar vendet donatore të këtij projekti, Ministri Çuçi nënvizoi rëndësinë e pranisë fizike të ekspertëve të huaj në zbatimin e tij.

“Në implementimin e projektit, do të jenë të përfshirë ekspertët spanjollë, të cilët kanë një përvojë të gjatë në këtë fushë. Përveç ekspertëve spanjollë, do të jenë edhe ekspertët italianë të Ministrisë së Drejtësisë, të GDF (Guardia di Finanza) si dhe të Policisë Kombëtare së Holandës.”

Çuçi shprehu besimin se ky projekt do të rrisë cilësisht forcën goditëse të agjencive tona në luftën kundër krimit, trafikut të drogës, pastrimit të parave dhe fenomeneve të ngjashme kriminale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re