Samiti për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor mbajtur në Londër, përcaktoi shifrën e 1 miliard eurove që do jepen nga BE për shtetet e këtij rajoni, siç u tha për një integrim sa më të shpejtë të tyre.

“Me angazhimin fillestar të BE-së deri në 150 milionë euro në 2019-2020, garancia do të synojë të lërvrojë deri në 1 miliardë euro investime në zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik dhe integrimin rajonal. Garancia do të lejojë ndarjen e rrezikut financiar për të zhbllokuar investimet private në një gamë të gjerë sektorësh si bizneset e reja të vogla dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Investime në infrastrukturë si edhe në sektorët socialë dhe të njohurive digjitale, pra duke i kushtuar vëmendje pengesave kryesore që pengojnë në rajon aksesin tek financat”, u tha në një deklaratë të KE-së.

Më tej citohet përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë, Federica Mogherini, të ketë thënë se “kemi qenë të gjithë duke punuar së bashku për ta tërhequr rajonin sa më afër BE politikisht, ekonomikisht dhe për sigurinë. Kemi parë rezultate të mrekullueshme, zgjidhje për çështjet më të vështira bilaterale. Ballkani Perëndimor po ecën vazhdimisht. Sot rikonfirmojmë se jemi së bashku me rajonin në atë rrugë, duke ndarë përkushtimin ndaj së ardhmes sonë të përbashkët”.

Nga ana tjetër, ishte dhe Londra zyrtare, vendi pritës i Samitit, që edhe pse nën ethet Brexit, premtoi një angazhim e mbështetje për  vendet e Ballkanit Perëndimor.     

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re