Të mërkurën, pas incidenteve paszgjedhore në Malin e Zi, Bashkimi Evropian u bëri thirrje të gjithë aktorëve për paqe, përmbajtje dhe respekt për vlerat e BE.

Theksohet se BE nuk do të ndërhyjë në atë që vlerësohet në Bruksel si “çështje e brendshme” e Malit të Zi.

Të pyetur në lidhje me incidentet dhe konfliktet midis opsioneve të ndryshme politike pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Malin e Zi, Komisioni Evropian tha se ngjarjet politike aty po monitoroheshin nga afër në Bruksel.

“Ne presim paqe dhe përmbajtje, si dhe dialog politik gjithëpërfshirës dhe respekt për vlerat e BE, duke përfshirë respektin për pakicat,” tha zëdhënësja e KE, Ana Pisonero.

Lajçak nuk do të ndërmjetësojë

Ajo përsëriti pritjen e Brukselit që një parlament i ri do të konstituohet në Mal të Zi dhe do të formohen autoritete të reja, të cilat do të vazhdojnë rrugën e Malit të Zi drejt BE.

I pyetur nga media nëse Përfaqësuesi Special i BE për Ballkanin Perëndimor Miroslav Lajçak do të ndërmjetësojë midis të dy palëve në Malin e Zi, në mënyrë që të “shmangë incidente të reja”, Brukseli shkurtimisht tha se nuk do të ishte kështu.

“Z. Lajcak ka një mandat të merret me çështje të mëdha dhe të hapura rajonale, të tilla si normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Çka po ndodh në Malin e Zi, është një çështje e brendshme e Malit të Zi,” tha zëdhënësi i BE Peter Stano.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re