Skip to content

BE i dërgon Ukrainës ndihmë në armatim dhe pajisje: Jemi të gatshëm të dërgojmë avionë luftarakë

Komisioneri i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, njoftoi se Bashkimi Evropian (BE) do t’i dërgojë Ukrainës ndihmë në armë dhe pajisje ushtarake në vlerë prej 500 milionë euro dhe se vendet anëtare do t’i dërgojnë edhe avionë luftarakë.

Ministrat e jashtëm të BE-së mbajtën takimin e tyre të katërt urgjent mbi situatën në Ukrainë, ndërsa Borrell tha pas seancës se BE-ja do t’i dërgonte Ukrainës 450 milionë euro armë dhe pajisje mbrojtëse me vlerë 50 milionë euro.

Duke theksuar se kjo është hera e parë që BE-ja dërgon këtë lloj ndihme, Borrell tha se shumë vende anëtare i kanë dërguar Ukrainës ndihma të konsiderueshme.

Ai tha gjithashtu se paketa e ndihmës do të financohet nga Fondi Evropian i Paqes dhe fondi ndërqeveritar.

I pyetur nëse paketa e re e ndihmës së BE-së për Ukrainën mund të përfshijë dërgimin e avionëve luftarakë, Borrell tha se zyrtarët e BE-së kishin biseduar me ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmitry Kuleba, për nevojat e ushtrisë ukrainase dhe se kishte shtete anëtare që mund të dërgonin gjithashtu avionë. Ai shtoi se Perëndimi është ende i hapur ndaj Ukrainës.

“Jemi duke hequr disa banka ruse nga SWIFT. Do të zbatojmë masa kufizuese që do të paralizojmë asetet e Bankës Qendrore Ruse. Kjo masë do të ngrijë gjysmën e rezervave të Bankës Qendrore”, tha Borrell.

Duke shtuar se rezervat e përmendura janë në vendet e G7, Borrell tha se kjo do të ketë një ndikim shumë negativ në sistemin financiar rus.

Ai deklaroi se disa njerëz që mbështesin regjimin në Rusi do të futen në listën e sanksioneve.

Borrell ka theksuar se gjatë fundjavës kanë punuar shumë në Bruksel dhe se qëllimi i tyre është që vendimet e përmendura t’i zbatojnë para fillimit të ditës së parë të punës të javës.