Skip to content

BE i “dorëzohet” vaksinës ruse, Borrell: Gati për Sputnik V

BE iu dorëzua më në fund tundimit për të marrë vaksinën ruse Sputnik V.

Eshtë kryediplomati i Brukselit Joseph Borrel ai që shprehu këtë gadishmëri gjatë një vizite në Moskë. Kjo pasi sipas një studimi të njohur ndërkombëtarisht, Sputnik V rezultoi efektive në 91.6 përqind.

Borrell përgëzoi Rusinë për arritjen e saj mjekësore dhe tha se shpresonte që Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) të miratojë përdorimin e vaksinës në BE.

“Siç e dini, ne po përballemi me një mungesë të vaksinave dhe një prodhues shtesë do të ishte i mirëpritur,” tha Borrell në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.

Rezultatet e provave klinike të Qendrës Kombëtare Ruse për Epidemiologji dhe Mikrobiologji u konfirmuan këtë javë nga një botim në revistën prestigjioze mjekësore Lancet.

Borrell tha se ishte “një lajm i shkëlqyer për të gjithë njerëzimin”.

Komisioni Evropian ka nënshkruar gjashtë kontrata në emër të shteteve anëtare me prodhuesit e vaksinave që garantojnë shpërndarjen e 2.3 miliardë dozave. Sputnik V nuk është njëri prej tyre. Sipas EMA, prodhuesit nuk kanë paraqitur ende një kërkesë për autorizimin e tregut.

Ndërsa Hungaria është e vetmja në BE që miratoi përdorimin e vaksinës ruse me iniciativën e saj.

Në Shqipëri, kryeminsitri Rama e ka refuzuar një ofertë ruse për Sputnik V, duke e arsyetuar me krahmbajtje nga prodhuesit perëndimor.