Delegacioni i Bashkimit Evropian në vendin tonë i bëri thirrje Parlamentit që të shtyjë për në shtator emërimin e kreut të ri të AMA-s, që pritet të bëhet sot, në seancën e fundit parlamentare të këtij legjislacioni.

“Autoritetet rregullatore të medias duhet të punojnë me transparencë dhe legjitimitet. Bashkimi Evropian rishikoi Direktivën e Mediave Audiovizuale dhe futi një kusht të ri për rregullatorët e mediave kombëtare, ku përfshihet detyrimi për procedura transparente dhe të pavarura për caktimin dhe shkarkimin e anëtarëve të bordit drejtues të këtyre autoriteteve.

Ky legjislacion është pjesë e atij të Bashkimit Evropian, që Shqipëria duhet të përshtasë. Ne e kemi ndjekur nga afër procedurën e caktimit të kreut të ri të AMA-s dhe anëtarëve të bordit. Është e rëndësishme që të mos ketë dyshime mbi punën profesionale të AMA-s.

Kemi mësuar se sot do të votohet në Parlament për kreun dhe anëtarët e bordit, në seancën e fundit të legjislaturës. Ne ftojmë autoritetet që të shtyjnë votimin në Parlamentin e ri, në shtator, për të pasur një konsensus dhe legjitimitet sa më të gjerë të mundshëm”, shkruan në Twitter Delegacioni i Bashkimit Evropian.

PD ka akuzuar Ramën se do të vendosë zëdhënësen e tij në krye të AMA-s.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re