Bashkimi Evropian (BE) ka dënuar “fuqishëm” votimin e parlamentit rus për njohjen e rajoneve Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës si të pavarura.

“BE dënon fuqishëm vendimin e Dumës së shtetit rus për t’i paraqitur një thirrje presidentit (Vladimir) Putin për të njohur zonat e kontrolluara joqeveritare të rajoneve Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës si entitete të pavarura”, shkroi në twitter shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Borrell tha se vendimi është një “shkelje e qartë” e protokollit të Minskut, marrëveshjes që Rusia, Ukraina dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) arritën në vitin 2014 për të vendosur paqe në Ukrainën lindore.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së përsëriti mbështetjen e “palëkundur” të bllokut evropian për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës brenda “kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”.

Ai po ashtu kërkoi nga Rusia që të kthehet në negociatat në lidhje me konfliktin me Ukrainën nën ndërmjetësimin e Gjermanisë, Francës dhe OSBE-së.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re