Ligjvënësit evropianë kanë miratuar një projekt-ligj për rritjen e prodhimit të municioneve në Bashkimin Evropian, me qëllim rivendosjen e rezervave dhe përshpejtimin e dërgimit në Ukrainë.

Ligji për “mbështetje për prodhimin e municionit” është miratuar me 446 vota pro, 67 kundër dhe 112 abstenime, gjatë seancës mini-plenare në Bruksel, transmeton AFP.

Në fillim të majit, Komisioni Evropian prezantoi këtë plan, i cili përfshin 500 milionë euro për të forcuar kapacitetin e prodhimit të municioneve në BE, në një milion raketa në vit.

Duhet të lejohet bashkëfinancimi i investimeve nga industrialistët për të rritur prodhimin e fabrikave të tyre në BE.

Investime prej një miliard eurosh

Sipas Komisionerit të Industrisë Thierry Breton, së bashku me financimin e vendeve anëtare, kapaciteti investues do të ishte një miliard euro.

Eurodeputetët të cilët vendosën të aplikojnë procedurën urgjente për miratimin e këtij ligji, tani duhet të fillojnë negociatat me Këshillin e BE-së (vendet anëtare) për të arritur një marrëveshje dhe të shkojnë në miratimin përfundimtar në seancën plenare të Parlamentit Evropian në korrik.

“Vendimi përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara për sigurinë dhe mbrojtjen e Unionit tonë dhe veçanërisht për mbështetjen tonë të palëkundur për Ukrainën përballë agresionit të vazhdueshëm rus. Do të forcojë kapacitetin tonë për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë,” tha përfaqësuesi rumun Cristian Busoi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re