Komisioni Evropian dhe ministrat e Financave të BE-së, të tronditur nga zbulimet e “Paradise Papers”, premtuan sot rritjen e luftës kundër evazionit fiskal.
“Ky skandal i ri tregon, edhe njëherë, se disa sipërmarrje dhe individë të pasur janë gati për gjithçka për të mos paguar taksat. Qytetarët evropianë nuk durojnë më dhe kanë të drejtë. Kjo është e padurueshme!”, deklaroi komisioneri evropian për çështjet Fiskale, Pierre Moscovici, para se të fillonte një mbledhje me ministrat e Financave të BE-së në Bruksel.
“Komisioni ka bërë shumë tre vitet e fundit për të shtyrë vendet evropiane të ndryshojnë ligjet, por mbetet ende shumë për të bërë”, shtoi ai.
Këto dokumenta të publikuara dje, që janë rrjedhjet e dokumentacioneve mbi shmangiet fiskale, të njohura si “Paradise Papers”, përbëjnë rezultatin e një hetimi nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë (ICIJ), që grupon 96 media nga 67 vende.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re