Delegacioni i Bashkimit Evropian për palestinezët dënoi prishjen nga Izraeli të një shkolle të financuar nga BE-ja në Bregun Perëndimor të pushtuar.

“Të tmerruar nga lajmet se forcat e sigurisë izraelite shkatërruan shkollën Sfai të financuar nga donatorët në Masafer Yatta në territorin e pushtuar palestinez, një ditë pas një vizite diplomatike nga disa vende anëtare të BE-së”, tha delegacioni në një deklaratë në Twitter.

“E drejta e fëmijëve palestinezë për arsimim duhet të respektohet”, shtohet më tej.

Delegacioni i BE-së shprehu shqetësime të thella për “masat izraelite që shjënjestrojnë strukturat humanitare”.

“Masat e vazhdueshme shtrënguese kërcënojnë ekzistencën e komuniteteve palestineze në Masafer Yatta,” paralajmëroi ai.

Ushtria izraelite përmendi si arsye mungesën e lejes së ndërtimit për prishjen e shkollës në qytetin Masafer Yatta, në jug të qytetit El-Halil (Hebron).

Ministria palestineze e Arsimit e dënoi prishjen, duke e quajtur atë “shkelje të pacipë të të drejtës së nxënësve palestinezë për arsim të sigurt dhe të lirë”.

Izraeli përdor gjerësisht pretekstin e mungesës së lejeve të ndërtimit për të prishur shtëpitë dhe ndërtesat palestineze, veçanërisht në zonën C në Bregun Perëndimor të pushtuar, e cila përbën rreth 60 për qind të hapësirës së tij.

Sipas Marrëveshjes së Oslos të vitit 1995 midis Izraelit dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), Bregu Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, u nda në tri pjesë: Zona A, B dhe C.

Zona C është nën kontrollin administrativ dhe të sigurisë të Izraelit derisa të arrihet një marrëveshje për statusin përfundimtar me palestinezët.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re