Bashkimi Evropian i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të zbatojë embargo të armëve ndaj Mianmarit me arsyen se ushtria e këtij vendi ka ushtruar dhunë ndaj civilëve.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell lidhur me lajmet se shumë persona, përfshirë gra dhe fëmijë janë vrarë nga ushtria në Mianmar tha se është e papranueshme që regjimi ushtarak në Mianmar ka vrarë dhe ka djegur më 24 dhjetor në Arakan mbi 35 civilë, përfshirë gra dhe fëmijë.

Ai theksoi se përgjegjësit duhet të japin llogari. “Kundër dhunës në rritje në Mianmar nevojiten më shumë veprime ndërkombëtare parandaluese, përfshirë edhe embargon e armëve”, tha Borrell.

Pasi rikujtoi se që nga grushti i shtetit më 1 shkurt në Mianmar e deri më tani kanë zbatuar sanksione ndaj institucioneve dhe liderëve ushtarakë dhe se kanë ngrirë ndihmat financiare ndaj këtij vendi, Borrell vuri në dukje se BE-ja është e gatshme të zbatojë më shumë sanksione ndaj regjimit ushtarak dhe se do të vazhdojnë ndihmat humanitare.

Në Mianmarin e drejtuar nga junta ushtarake, pretendohet se ushtria më 24 dhjetor ka vrarë dhe ka djegur trupat e mbi 30 personave, përfshirë në mesin e tyre gra dhe fëmijë.

Ushtria në Mianmar në muajin shkurt mori kontrollin e vendit duke rrëzuar qeverinë e zgjedhur dhe që nga ajo kohë në vend ka konflikte mes forcave të sigurisë dhe grupeve etnike të armatosura kundër grushtit të shtetit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re