Bashkimi Evropian miratoi sot pakon e katërt të sanksioneve kundër Rusisë, duke ndaluar eksportin e mallrave luksoze dhe importin e produkteve të çelikut si dhe duke shënjestruar oligarkët e rinj.

BE-ja vendosi një pako të re sanksionesh kundër Rusisë “në përgjigje të agresionit brutal rus kundër Ukrainës dhe popullit të saj”, njoftoi Komisioni Evropian në një deklaratë duke përshëndetur vendimin e vendeve anëtare të BE-së.

“Këto sanksione do të kontribuojnë më tej në rritjen e presionit ekonomik ndaj Kremlinit dhe do të dëmtojnë aftësinë e saj për financimin e pushtimit të Ukrainës”, thuhet në deklaratë.

Me vendimin, blloku ndalon importin e produkteve ruse të çelikut, në vlerë prej rreth 3.3 miliardë euro (3.6 miliardë dollarë) dhe investimet në sektorin energjetik rus.

Blloku gjithashtu ndalon eksportin e produkteve luksoze në Rusi, përfshirë bizhuteri, automjete, valixhe lëkure, verëra dhe pajisje muzikore dhe sportive.

BE-ja shtoi në listën e saj elita të reja oligarke dhe biznesi të lidhura me Kremlinin si dhe kompani të industrisë së mbrojtjes që mbështesin luftën në Ukrainë.

Vendimi zgjat sanksionet financiare, duke ndaluar të gjitha transaksionet e kompanive shtetërore ruse.

Lista e plotë e individëve dhe subjekteve të sanksionuara nuk është publikuar në ‘Gazetën Zyrtare’ të BE-së, por disa burime mediatike konfirmuan se sanksionet synojnë, ndër të tjera, biznesmenin Roman Abramovich, i cili kishte në pronësi klubin e futbollit Chelsea dhe industrialistin Oleg Deripaska.

Pakot e mëparshme të sanksioneve synonin presidentin rus Vladimir Putin, ministrin e Jashtëm Sergej Lavrov, oligarkët dhe oficerët ushtarakë, duke përjashtuar bankat ruse dhe bjelloruse nga sistemi bankar ndërkombëtar SWIFT dhe ndaluan aktivitetet e transmetimit të mediave Sputnik dhe RT (Russia Today).

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re