Bashkimi Evropian (BE) njoftoi një paketë të ndihmës financiare prej 199 milionë euro për Palestinën.

Në një deklaratë me shkrim nga Zyra e BE-së për Palestinën thuhet se për paketën e ndihmës për Palestinën u mbajt një ceremoni në qytetin e Ramallahut në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Në ceremoninë ku krahas presidentit palestinez Mahmoud Abbas dhe kryeministrit Mohammad Shtayyeh, morën pjesë edhe ministri palestinez i Financave Shukri Bishara dhe përfaqësues të BE-së, u theksua se paketa e re e ndihmës për Palestinën është 199 milionë euro.

Në deklaratë thuhet se edhe mbështetjet financiare që i jepen Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) kanë arritur në 97 milionë euro dhe se në këtë mënyrë në përputhje me ndarjet buxhetore të vitit 2022, ndihma e BE-së për popullin palestinez ka arritur në gjithsej prej 296 milionë euro.

Përfaqësuesi i BE-së për Palestinën, Sven Kühn von Burgsdorff në një fjalim në ceremoni nënvizoi angazhimin e tyre për zgjidhje me dy shtete në çështjen e Palestinës.

Ai tha se BE-ja do të kërkojë që Palestina dhe Izraeli t’i përmbahen marrëveshjes mes tyre dhe se do të vazhdojnë edhe punimet me qeverinë palestineze për reformat ekonomike dhe financiare.

Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve Wafa, presidenti palestinez Abbas ka falënderuar BE-në për mbështetjen e tyre politike për zgjidhjen me dy shtete dhe mbështetjen ndaj popullit palestinez në takimet ndërkombëtare.

Vitet e fundit Palestina ka përjetuar probleme financiare për shkak të pakësimit të ndihmës arabe dhe ndërkombëtare si dhe ndërprerjeve të bëra nga Izraeli në taksat që mbledh për llogari të qeverisë palestineze.

Në përputhje me Protokollin Ekonomik të Parisit të nënshkruar mes Izraelit dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës në vitin 1994, qeveria izraelite transferon në thesarin e Palestinës 2 miliardë dollarë në vit që mbledh nga pikat kufitare nën kontrollin e tij.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re