Bashkimi Evropian (BE) po punon mbi paketën e gjashtë të sanksioneve që do të zbatojë kundër Rusisë për shkak të sulmit të saj ndaj Ukrainës.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, tha se “lufta e Rusisë kundër Ukrainës” ndikon në sigurinë globale dhe se ata janë duke përgatitur një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë.

“Po punojmë mbi paketën e gjashtë të sanksioneve, e cila synon të heq më shumë banka nga sistemi SWIFT, të vendosë në listë aktorët dezinformues dhe të diskutojë importin e naftës. Këto masa do të paraqiten për miratim në Këshillin e BE-së”, ka deklaruar Borrell në rrjetet sociale.

Sipas lajmeve në shtypin perëndimor, mësohet se Komisioni i BE-së në paketën e gjashtë të sanksioneve po përgatitet të propozojë që bankat ruse Credit Bank of Moscow dhe Russian Agricultural Bank të hiqen nga sistemi SWIFT, i cili siguron transfertat ndërkombëtare të parave.

Gjithashtu theksohet se edhe Sberbank, një prej bankave më të mëdha të Rusisë, mund të përfshihet në kuadrin e paketës së sanksioneve. Më parë BE-ja dhe SHBA-ja kanë hequr disa banka ruse nga sistemi SWIFT duke pranuar paketa të koordinuara sanksionesh.

Po ashtu thuhet se paketa e re e sanksioneve të BE-së, në të njëjtën kohë mund të përfshijë edhe pakësimin e importit të naftës nga Rusia dhe ndalimin e saj deri në fund të vitit.

Por një numër i pakët i vendeve të BE-së kundërshtojnë ndërprerjen e eksporteve të naftës nga Rusia. Peter Szijjarto, ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Hungarisë, e cila ndodhet në krye të këtyre vendeve, duke bërë të ditur se nga Rusia plotësojnë 65 për qind të kërkesës së tyre për naftë është shprehur se “E shprehim hapur se nevojiten hapa konkretë nga ana jonë për të garantuar sigurinë e energjisë së vendit. Për këtë arsye nuk miratojmë sanksionet që do të kufizojnë furnizimin e Hungarisë me gaz dhe naftë nga Rusia”.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re