Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Serbia që të lejojë vizitën e ministrit të Brendshëm të Kosovës Xhelal Sveçla në Luginë, e cila është paralajmëruar në përputhje me marrëveshjen për vizitat zyrtare nga dialogu.

“Vizita e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla në Serbi është paralajmëruar në përputhje me marrëveshjen nga dialogu për vizitat zyrtare. Prandaj Serbia është dashur ta lejojë dhe vizita duhet të realizohet”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Në fillim të janarit, ministrit Sveçla iu ndalua vizita në Luginën e Preshevës dhe komunat jugore në Serbi, përkatësisht Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, ku popullsia shqiptare është shumicë.

Autoritetet serbe më herët kanë refuzuar vizitat e zyrtarëve kosovarë në atë pjesë të Serbisë, e nga ana tjetër, Kosova ka refuzuar edhe vizitën e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

Por Stano vuri në dukje se “BE vazhdon t’u bëjë thirrje të dyja palëve që të zbatojnë plotësisht dhe pa kushte të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, duke përfshirë marrëveshjet për vizitat zyrtare dhe lirinë e lëvizjes”.

Ai po ashtu ka shtuar se të gjitha mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe se BE-ja është ende e gatshme t’u mundësojë palëve të zhvillojnë bisedime për të gjetur një zgjidhje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re