Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell, tha se janë të gatshëm të vazhdojnë të punojnë për dialog me Turqinë.
Borrell bëri një postim nga llogaria e tij në median sociale lidhur me bisedën nëpërmjet videokonferencës mes Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, dhe Presidentes së Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.
“Ne jemi të gatshëm të punojmë për dialog me Turqinë” tha Borrell, duke theksuar se i është bashkuar bisedës së “dobishme” të Erdoğan dhe von der Leyen.
Ndër të tjera, Borrell vuri në dukje se pret me padurim të presë në Bruksel ministrin e Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu, për të ndjekur detyrat që liderët e BE-së kanë caktuar lidhur me Turqinë në Samitin e Liderëve të mbajtur në muajin dhjetor.
Edhe Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, në një mesazh në llogarinë e medias sociale pas bisedës, duke theksuar se ka realizuar një bisedë të mirë me presidentin Erdoğan, tha se kanë biseduar për COVID-19, rimëkëmbjen ekonomike dhe detyrat e caktuara lidhur me Turqinë në takimin e Këshillit të BE-së të mbajtur në muajin dhjetor 2020.
Në samitin e mbajtur në dhjetor 2020, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell, dhe Komisioni i BE-së kërkuan paraqitjen e një raporti lidhur me situatën e marrëdhënieve Turqi-BE dhe ecurinë e tyre deri në samitin që do mbahet në mars 2021.
Pritet që ministri i Jashtëm Çavuşoğlu të vizitojë Brukselin më 21 janar.
