Komisioni Evropian i ka dhënë një afat përfundimtar prej një muaji Hungarisë për të zgjidhur çështjen e sundimit të ligjit përpara se t’u kërkojë qeverive të vendeve të Bashkimit Evropian të pezullojnë fondet që Budapesti duhet të marrë brenda buxhetit të bllokut 27-anëtarësh për periudha 2021-2027, raporton Reuters.

Komisioni njoftoi se ka autorizuar komisionerin e buxhetit Johannes Hahn të informojë Budapestin për masat që ekzekutivi i BE-së synon t’u propozojë shteteve.

“Hungaria ka tani një periudhë prej një muaji brenda së cilës mund të paraqesë kundërshtimet e saj dhe çdo fakt shtesë, veçanërisht për proporcionalitetin e masave të parashikuara nga Komisioni”, thuhet në deklaratën e KE.

Afati i ri është pjesë e një procedure të BE-së, të quajtur “mekanizmi i kushtëzimit”, i krijuar për të mbrojtur interesat financiare të bllokut nga shkeljet e mundshme të shtetit të së drejtës nga shtetet anëtare. Ky mekanizëm është i ndarë nga procedurat e tjera të sundimit të ligjit që BE-ja ka nisur kundër Hungarisë.

Për shkak të shqetësimeve për paratë nga buxheti i BE-së, Komisioni në prill prezantoi një “mekanizëm kushtëzimi” kundër Hungarisë që mund të çojë përfundimisht në pezullimin e pagesës prej 21 miliardë eurosh për Hungarinë nga arkat e bllokut.

Komisioni beson se paratë e BE-së në Hungari janë në rrezik për shkak të asaj që thotë se është korrupsioni, i cili mund të marrë formën e tenderëve për projektet e financuara nga Brukseli, në të cilat merr pjesë vetëm një ofertues, zakonisht i lidhur me partinë në pushtet.

Ekzekutivi i BE-së është gjithashtu i shqetësuar për pavarësinë e gjyqësorit, mediave dhe organizatave joqeveritare në Hungari, shton Reuters.

Por duket se “lepuri fle” gjetiu.

Edhe në rastin e agresionit rus ndaj Ukrainës, Hungaria ka dalë nga rreshti.

Së fundi, kryeministri rebel Orban tha se BE ka nevojë për një “strategji të re” për t’u marrë me luftën në Ukrainë pasi “sanksionet kundër Moskës nuk po funksionojnë”. Kjo, një ditë pasi ministri i tij i Jashtëm, Peter Szijjártó vizitoi Moskën për bisedime me Kremlinin për furnizimet me gaz.

“Strategjia duhet të synojë paqen në vend që të fitojë luftën”, tha Orban.

Që nga fillimi i ofensivës ruse kundër Ukrainës, Budapesti ka mbajtur një qëndrim ambivalent ndaj Moskës, duke dënuar fillimisht pushtimin rus, por duke vënë veton ndaj sanksioneve të importeve të gazit dhe naftës ruse dhe duke detyruar kështu BE-në të zbusë paketën e sanksioneve kundër Rusisë në fushën e energjisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re