Propozimet e paraqitura deri tani nga Facebook dhe Twitter për KE-në janë ende të pamjaftueshme.

Pikat e rëndësishme të kërkuara nga unioni këto kompani i kanë marrë parasysh vetëm pjesërisht, ku theksohen procedurat për bllokimin e përmbajtjeve dhe të llogarive të përdoruesve ku ndeshen problemet më të mëdha.

Komisionerja për Drejtësinë e BE, Vera Jourova deklaroi se propozimet e paraqitura deri tani nga këto kompani janë të pamjaftueshme. “Mbrojtja e konsumatorëve në BE duhet respektuar,” tha Jourova. “Nëse sipërmarrjet nuk i përmbahen kësaj, ato duhet të mbulohen me gjoba”.

Këtyre kompanive u ishte kërkuar që në nëntor 2016 që ta përshtatin mbrojtjen e tyre për konsumatorët me rregullat e BE. Sipas vlerësimit të Komisionit, Twitteri vazhdon t’i ndryshojë kushtet e përgjithshme tregtare pa i informuar për to përdoruesit.

Përdoruesit e Twitterit dhe të Facebookut veç kësaj nuk informohen në kohën e duhur dhe jo mjaftueshëm për fshirjet që i kërcënojnë të përmbajtjeve të dyshuara si ilegale, kritikoi Komisioni.

Edhe për mundësinë që të paraqitet ankesë kundër fshirjeve që priten ose që kanë ndodhur nuk jepet informacion i mjaftueshëm. Një zëdhënëse e Facebookut deklaroi në lidhje me kritikat se këtë vit janë parashikuar ndryshime. Këtu bën pjesë p.sh. mundësia për t’i informuar përdoruesit më mirë për fshirjen e përmbajtjeve.

Jourova tha më tej se rrjetet sociale i përdorin si platforma publicitare dhe tregtare dhe ato duhet t’u përmbahen nga ky shkak rregullave të mbrojtjes së konsumatorëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re