Në mesin e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, rrugët më të sigurta i ka Suedia, ku vitin e kaluar ka pasur mesatarisht 18 vdekje në aksidente trafiku për një milion banorë, ndërsa numri më i madh i jetëhumbjeve u regjistrua në Rumani, me 93 sosh për milion banorë. Këto tregues u publikuan nga Komisioni Europian.

Në vitin 2021, thuhet se në aksidente trafiku në mbarë BE-në kanë vdekur 19.800 persona, që është 1.000 vdekje më shumë se në vitin 2020, por edhe 3.000 më pak se në vitin 2019 dhe para periudhës së pandemisë.

Brukseli shton se BE-ja ka parë një rënie prej 36 për qind të aksidenteve të trafikut gjatë dekadës së fundit dhe planifikon të përgjysmojë shifrat aktuale deri në vitin 2030.

Përveç Suedisë, Danimarka, Gjermania, Irlanda, Qiproja, Lituania, Malta, Polonia dhe Portugalia janë vendet me rrugët më të sigurta në BE, ndërsa numri i të vrarëve në aksidente trafiku është rritur në Letoni, Slloveni dhe Finlandë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re