Bashkimi Evropian tha të premten se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, që u arrit më herët gjatë këtij viti, është e detyrueshme në tërësinë e saj për të dyja palët dhe zbatimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugës së tyre përkatëse evropiane.

Këto komente pasuan publikimin e një dokumenti të qeverisë serbe dërguar Bashkimit Evropian në cilin ajo ka theksuar se nuk do të përmbushë asnjë pjesë të marrëveshjes që ka të bëjë me njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Dokumenti u publikua pas takimit të nivelit të lartë të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor të mërkurën me ç’rast u miratua një deklaratë e përbashkët në të cilën kërkohet normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, e cila kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës.

Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.

Pas miratimit të deklaratës së përbashkët në takimin BE-Ballkani Perëndimor, Beogradi shprehu rezerva duke e cilësuar atë një deklaratë politike që nuk është ligjërisht e detyrueshme.

“Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksi i zbatimit, siç referohen në këtë deklaratë, konsiderohen të pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshin njohjen de facto apo de jure të Kosovës”, thuhet në dokumentin serb në të cilin theksohet se Serbia nënvizon që “pajtimi me deklaratën nuk përfshin pajtimin për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në sistemin e organizatave dhe agjencive të OKB-së, e as të ashtuquajturën tërësi tokësore të të Kosovës”.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha në një deklaratë me shkrim dërguar medieve se “marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj për të dyja palët. Zbatimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugës së tyre përkatëse evropiane”.

Ai tha se marrëveshja është bërë e tillë përmes deklaratës me shkrim të shefit të politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell të satës 18 mars, ditës kur palët u pajtuan në Ohër për zbatimin e marrëveshjes./VOA

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re