Bashkimi Evropian(BE) shprehu “mbështetjen e plotë për Mbretin Abdullah II” të Jordanisë në mes të një numri arrestimesh në mbretëri për “arsye sigurie”.

“BE po ndjek nga afër ngjarjet e fundit në Jordani”, shkroi zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, në Twitter.

Duke postuar flamujt e BE-së dhe Jordanisë, Massrali shtoi se të dy palët “kanë një partneritet të fortë dhe solid”.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim Jordaninë dhe njerëzit e saj. BE mbështet plotësisht Mbretin Abdullah II dhe rolin e tij moderues në rajon”, shtoi ajo.

Të shtunën, ish-Princi i Kurorës, Hamzah bin Al-Hussein dhe Bassem Ibrahim Awadallah dhe ish-kryetar i Oborrit Mbretëror të Jordanisë, ishin midis rreth 20 personave për të cilët u njoftua se ishin arrestuar me arsyetimin se “përbëjnë kërcënim për stabilitetin e Jordanisë”.

Në një deklaratë, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral majori Yousef Huneiti, mohoi që Princi Hamzah ishte arrestuar ose në arrest shtëpiak, por konfirmoi se atij iu kërkua të ndërpresë aktivitetet lidhur me sigurinë dhe stabilitetin e Jordanisë.

Princi Hamzah, megjithatë, u shfaq në një video ku thoshte se ai ishte në arrest shtëpiak dhe u akuzua si pjesë e takimeve që kritikuan mbretin.

“Unë nuk jam pjesë e ndonjë komploti apo organizate të keqe apo grupi të mbështetur nga të huaj, siç janë gjithmonë pretendimet këtu për këdo që flet”, tha princi.

Princi Hamzah, 41-vjeç, është gjysmë-vëllai i Mbretit Abdullah II dhe djali i madh i mbretit të ndjerë Hussein bin Talal nga gruaja e tij e fundit.

Ai u shpall princ i kurorës më 7 shkurt 1999 por u zëvendësua më 28 nëntor 2004 nga djali i madh i Mbretit Abdullah II, Husein bin Abdullah, i cili u emërua në këtë post nga babai i tij.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re