Bashkimi Evropian (BE) sot premtoi 43,6 milionë euro për ndihmë emergjente dhe nevoja ushqimore për tre vende në rajonin Sahel të Afrikës, ndërsa Kombet e Bashkuara përpiqen të mbledhin 1 miliard dollarë për të zgjidhur krizën humanitare në këtë pjesë e botës.
Blloku ofroi këtë shumë si pjesë e një takimi virtual ministror të organizuar nga Danimarka, Gjermania, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara, që synojnë të nxjerrin në pah një nga krizat humanitare në botë me rritjen më të shpejtë në rajonin e rrënuar nga konflikti në rritje, qeverisja e dobët dhe mungesa e zhvillimit.
“Premtimi i BE-së përbëhet nga 23,6 milionë euro në financimin e veprimeve humanitare në Burkina Faso, Mali dhe Niger dhe 20 milionë euro në fonde zhvillimi për të adresuar krizën ushqimore që prek rajonin qendror të Sahelit”, tha Balazs Ujvari, zëdhënësi i Komisionit Evropian.
Ai gjithashtu tha se BE-ja ka “mobilizuar” tashmë tetë miliardë euro për rajonin që nga viti 2014.
Përveç kësaj, Belgjika, një vend anëtar i BE-së, ka premtuar tetë milionë euro.
Mark Lowcock, kreu i ndihmës humanitare të OKB-së, tha se një rekord prej 13 milionë njerëzish kanë nevojë për ndihmë humanitare përtej zonave kufitare të Burkina Fasos, Malit dhe Nigerit, ndërsa më të prekur janë fëmijët.
AA
