Gjatë vitit 2020, Bashkimi Evropian ndihmoi 130 vende partnere në të gjithë botën me më shumë se 26 miliardë euro për të përballuar pasojat e pandemisë COVID-19.

Nga kjo shumë, Unioni ka ndarë 12 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe fqinjët në jug dhe lindje, sipas Brukselit.

“BE, mbi të gjitha, ka ndihmuar fqinjët e tij të ngushtë. Rreth 12 miliardë euro janë paguar për të mbështetur partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor dhe fqinjët në lindje dhe në jug, për t’i ndihmuar ata të trajtojnë emergjencat shëndetësore, të forcojnë qëndrueshmërinë e sistemeve të tyre shëndetësore, të mbajnë punësimin dhe mbrojtjen sociale dhe të mbështesin rimëkëmbjen ekonomike,” tha Komisioneri Evropian Oliver Varhelyi.

Një deklaratë nga Komisioni Evropian thotë se më shumë se 11.3 milion copë pajisje mbrojtëse dhe pajisje mjekësore, të tilla si aparate për frymëmarrje dhe shtretër të kujdesit intensiv, mbërritën në Ballkanin Perëndimor nga BE (përfshirë KE dhe vendet anëtare) në vitin 2020..

Në vitin 2020, Ekipi Evropë, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), mbështeti vendet e Ballkanit Perëndimor në përgatitjen e fushatës së vaksinimit kundër COVID-19 dhe përmirësimin e rezistencës së përgjithshme ndaj emergjencave shëndetësore.

KE shton se kompanitë në Ballkanin Perëndimor janë mbështetur gjithashtu duke përfshirë rreth 70 banka lokale në rajon në sigurimin e qasjes më të lehtë në kredi për sektorin privat.

Përmes Bankës Evropiane të Investimeve (EIB), Unioni ka siguruar gjithashtu fonde për hua shtesë të investimeve të sektorit publik dhe hua të mëtejshme për firmat, për të mbrojtur vendet e punës në firmat e vogla dhe të mesme në rajon.

Tre miliardë euro në ndihmë makro-financiare u dhanë gjithashtu për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat kishin nevojë për ndihmë në balancimin e buxheteve të tyre për shkak të rritjes së alokimeve për shkak të krizës COVID-19.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re