Kryediplomati europian Josep Borrell ka bërë të ditur se kanë mbërritur përforcime për policinë e EULEX-it për të siguruar stabilitet në Kosovë.

Borrell shkroi në Tëitter se “në këto kohë të tensionuara në Kosovë, Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit-EULEX përmbush detyrën e tij për të siguruar stabilitet”.

Ai ka thënë se mbrëmë forcat e xhandarmërisë evropiane, duke përfshirë edhe karabinierët, kanë zbarkuar për të përforcuar përkohësisht njësinë policore të EULEX-it të Kosovës.

“EULEX-i do të vazhdojë të mbështesë një mjedis paqësor dhe të sigurt”, ka shkruar përfaqësuesi i lartë i BE-së.

Forcimi i policisë së EULEX-it vjen pasi pjesëtarët e komunitetit serb u larguan nga të gjitha institucionet e Kosovës në veri të Kosovës, përfshirë policinë dhe gjyqësorin.

Më herët, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka takuar shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në veri të vendit, si dhe për bashkëpunimin e institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare.

Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për zbatimin e rendit dhe ligjit, si dhe për sigurimin e funksionimit të qetë dhe të sigurisë publike në mbarë vendin, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

Të gjithë përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës janë tërhequr të shtunën nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, si dhe nga të gjitha institucionet në veri të Kosovës. Lista Serbe tha se vendimi i tyre mbetet në fuqi derisa Prishtina të tërheqë “vendimet e njëanshme dhe të paligjshme” për riregjistrimin e targave dhe të formojë Unionin e Komunave me shumicë serbe në përputhje me Marrëveshjen e Parë të Brukselit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se puna dhe ofrimi i shërbimeve nga institucionet e Kosovës vazhdon pavarësisht situatës dhe se institucionet mbeten të përkushtuara për sundimin e ligjit, të drejtat e pakicave, paqen dhe sigurinë. Ai tha gjithashtu se po vazhdon procesi i riregjistrimit të targave, së bashku me lehtësimin financiar, si dhe masat e tjera për zbatimin e regjimit të ri të targave.

Kurti akuzoi Serbinë për sabotim të dialogut dhe çdo marrëveshje të arritur, duke thënë se bojkoti nuk është zgjidhje. Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve serbë që të mos largohen nga institucionet e Kosovës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re